Shqipëria

Celibashi për PD-në: Ne vlerësojmë legjitimitetin e atij që përcjell dokumentacionin në KQZ


Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat gjatë kësaj të enjte bëri me dije se në momentin që do të vijnë propozimet për anëtarë të KZAZ do të vlerësohet legjitimiteti i atij personi që në emër të Partisë Demokratike paraqet këto propozime.

Celibashi tha se aktualisht përfaqësues ligjorë janë Marash Logu dhe Indrit Sefa, por se ka komunikime edhe me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD.

“Ne kemi komunikim institucional me PD-në. Deri në momentin që flasim përfaqësues i PD në KQZ është Marash Logu dhe Indrit Sefa. Kemi komunikime të karakterit profesional qoftë me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD. Ne do të vlerësojmë legjitimitetin e atij që përcjell dokumentacion në KQZ”.

Kjo për sa i përket argumentit nëse është “ky person me tagër për të sjellë në emër të PD-së kërkesa të ndryshme, propozime”.

“Sot është përfaqësues i PD-së në KQZ, janë përfaqësues dy zotërinjtë të cilët unë përmenda. Do jenë këta nesër, pasnesër në vijim nuk e them dot. Autorizimi që ata kanë është në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Ky legjitimitet është i verifikueshëm nga dokumentacioni që KQZ merr nga Gjykata e Tiranës”, tha Celibashi.

Ai u shpreh më tej se organin që përfaqëson një parti politike, nuk e vendos KQZ.

“Kjo është një çështje që nuk e vendos KQZ-ja se kush është organi që përfaqëson një parti politike, që udhëheq një parti politike nuk e vendos KQZ-ja, është një institucion tjetër dhe ne do të vlerësojmë në momentin që do të kemi këto kërkesa çfarë legjitimiteti ka ky apo ai person”, shtoi kreu i KQZ-së.

Në mbledhje është përcaktuar gjithashtu se në zgjedhjet vendore, Partia Socialiste do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër çift, ndërsa Partia Demokratike do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër tek.

KQZ përcakton numrin e anëtarëve sipas partive për KZAZ-të

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore