Sport

Çeku: Serbia vazhdon të dëmtojë Kosovën në futboll


Hajrullah Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë e Sportit në Kosovë

“Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës”, ka reaguar Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit në Kosovë, Hajrullah Çeku.

Federata e Futbollit të Serbisë i ka dërguar një letër Presidentit të UEFA-s, i cili përveç që ka shtrembëruar realitetin ka përdorur edhe gjuhë fyese.

Kjo, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut.

“Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë”, ka reaguar Çeku në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

“Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës”.

Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht, kujton Çeku.

“Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat evropiane e botërore të sportit”, ka thënë ministri Çeku.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA”.

Ministri Çeku u ka bërë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës.

Letra e Presidentit të Federatës së Futbollit të Serbisë për UEFA-n

Në letrën e Federatës serbe të Futbollit, “me urgjencë” drejtuar Presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, presidenti Dragan Dajiç ka thënë se institucionet e Kosovës kanë ushtruar presion të paligjshëm dhe çnjerëzor ndaj klubeve në Kosovë të komunitetit serb.

“Institucionet në Prishtinë i frikësojnë futbollistët dhe zyrtarët e sportit të kombësisë serbe duke i ndaluar që të bëjnë seanca stërvitore në stadiumet e tyre dhe të organizojnë gara lokale”, ka shkruar Dajiç në letrën dërguar UEFA-s.

“Këto kërcënime janë të një natyre të tillë saqë këtyre futbollistëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të klubeve të futbollit u shkelet e drejta njerëzore për të punuar, si dhe e drejta për të ushtruar futboll dhe liria e organizimit në klube sportive”.

“Anëtarët e klubeve të futbollit nga Kosova kërcënohen me arrestime dhe dënime me burg, nëse vazhdojnë me procesin e stërvitjeve dhe garave në garat e ligës vendore të futbollit. Një praktikë e tillë është në kundërshtim me Kartën Evropiane të Sportit të Këshillit të Evropës dhe paraqet shkelje të dispozitave të Deklaratës Universale të OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, është ankuar Dajiç.

“Duke marrë parasysh autoritetin tuaj dhe autoritetin e pozicionit që mbani, ju lutemi të mbani qëndrim në mënyrë që praktika e përshkruar të ndalojë. Gjithashtu kërkojmë ndihmën tuaj me kohë, pasi duam të shmangim përshkallëzimin e problemeve dhe dhunës së mundshme që mund të provokohen dhe shkaktohen nga veprimet ilegale të institucioneve të përkohshme në Prishtinë”.

Më tej Dajiç ka thënë se Federata e Futbollit të Serbisë është duke monitoruar vazhdimisht zhvillimin e ngjarjeve dhe gjithmonë do të qëndrojë pranë bashkatdhetarëve të saj në Kosovë.

“Ne nuk do të heqim dorë nga avokimi dhe aplikimi i të gjitha mjeteve ligjore për të mbrojtur të drejtën e futbollistëve të kombësisë serbe për të kryer seancat e tyre stërvitore dhe për të luajtur futboll në komunitetin lokal”, përfundon letrën Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, dërguar UEFA-s.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore