Shqipëria

Çdo ditë e gruas – çdo ditë e protestës


“Një kambanë alarmi” e cilësoi ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, rritjen e shifrave të denoncimeve për dhunë në familje.

Ky kuvendim i ministres nuk ishte i rastësishëm: sot, më 25 nëntor, zhvillohet fushata 16-ditore, e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Në fakt, në kalendarin festiv, çdo “kremtim” për gruan është ditë “proteste”.

Gjatë vitit numërohen tri të tilla – Dita Ndërkombëtare e Grave më 8 mars, Dita Ndërkombëtare e Nënës, që përllogaritet të dielën e dytë të muajit maj, dhe në fund 25 nëntori.

Mesditën e 25 nëntorit, nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu foli për dhunën ndaj vajzave dhe grave, e cila, sipas saj, parandalohet duke rritur mbështetjen ndaj tyre, si dhe duke i fuqizuar ato për të shpalosur potencialin e tyre.

Në 10 muajt e fundit, dhuna fizike, por jo vetëm, u ka marrë jetën 17 qytetarëve, 12 prej të cilëve kanë qenë vajza dhe gra.

2 mijë e 965 gra janë prekur nga dhuna në familje, sipas ministres, duke rritur kështu dhe numrin e denoncimeve.

Në këtë përllogaritje, 1 mijë e 432 prej viktimave të dhunës kanë qenë bashkëshorte.

Panorama globale

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, deklaroi të mërkurën e 24 nëntorit se “dhuna ndaj grave nuk është e pashmangshme”.

“Në të gjitha lagjet tona, ka gra dhe vajza që jetojnë në rrezik. Në të gjithë botën, konfliktet, fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën, pasiguria ushqimore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut po përkeqësojnë dhunën ndaj grave”, ravijëzoi Guterres.

Dhe, sipas “UN Women”, më shumë se 70 për qind kanë përjetuar GBV (përkthyer në dhunë me bazë gjinore) në disa mjedise krize.

“Si në vendet e zhvilluar, ashtu edhe tek ato të varfra, paragjykimi gjinor ka nxitur akte dhune ndaj grave dhe vajzave”, vëren organizata.

Zyrtari i lartë shpjegoi më tej se kjo lloj dhune “shpesh kalon pa raportim, e heshtur nga stigma, turpi, frika nga autorët dhe frika nga një sistem drejtësie që nuk funksionon për gratë”.

Çdo tri ditë, një grua vritet në Itali

“Çdo tri ditë” titullohet një pjesëz e “artit të rrugës” që u shfaq në qendër të Romës.

Realizimi i saj u përmbush në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Kjo vepër murale mban firmën e artistes romake, Laika.

Ajo ka pikturuar një palë këpucë të kuqe – simboli i femicidit dhe dhunës ndaj grave.

Tek një nga këpucët, mbishkruhet “Una Ogni Tre Giorni” një referencë për numrin e grave të vrara në Itali deri më tani këtë vit – 109 ose ekuivalenti i një në çdo tri ditë.

Këpuca tjetër, e cila “pikon” gjak, simbolizon lotët e një gruaje duke vajtuar.

Laika, e cila fsheh identitetin e saj pas një maske, u shpreh se “gratë janë më të forta se acidi, thikat, grushtet, fyerjet tuaja”.

Franca e masave|Franca e mobilizuar

Kryeministri francez, Jean Castex, nënshkroi të enjten dekrete për vendosjen e masave të reja.

Këto të fundit priten të vihen në zbatim për “mbrojtjen e viktimave dhe luftën kundër dhunës”.

Masat e reja përfshijnë hapjen e 1 mijë hapësirave të reja strehimi për viktimat në vitin 2022.

Gjithashtu një nga masat përfshin rreth 5 mijë telefona të pajisur me një buton për të kontaktuar drejtpërdrejt autoritetet.

Policia në Francë iu përgjigj 159 mijë e 400 thirrjeve të dhunës në familje në vitin 2020, një rritje prej 10 për qind nga viti i kaluar.

“E papërshkueshme nga plumbat”

Studentja ruse Darya është kthyer në një simbol të rezistencës së dhunës me bazë gjinore në Rusi.

Shaig Zeinalov, i dashuri i saj, i cili ishte në gjendje të dehur, e qëlloi me armë.

Gjuajtja e tij doli huq, por ajo u godit në sy, nga një copë plumbi që bëri rikoshetë me murin.

“Jam 18 vjeç, më qëlluan në kokë dhe po vdes”, ishin frazat që lajmëruan ambulancën përmes telefonit.

Darya, sot, ka një tatuazh që citon “të papërshkueshëm nga plumbat” në këmbë.

Adresa e saj e Instagram-it quhet “Bukuria me një sy”. Studentja ruse ka publikuar një libër mbi abuzimin fizik dhe emocional.

Partneri i saj u burgos për pesë vjet. Kur të marrë diplomën e saj në drejtësi, ajo planifikon ta përdorë atë për të ndihmuar gratë që të mbrohen nga partnerët e dhunshëm.

“Dëgjojini zërat tanë”

Inteligjenca artificiale po ndihmon viktimat izraelite të dhunës në familje që të rrëfejnë historitë e tyre.

Projekti “Dëgjojini zërat tanë”, u krijua si përgjigje e rritjes globale të dhunës në familje dhe për nder të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Familjet e viktimave të dhunës në familje kanë bashkëpunuar me aktiviste të të drejtave të grave.

Kjo, për të krijuar një qasje inovative për të luftuar dhunën në familje.

Historitë e pesë viktimave të dhunës në familje janë sjellë në jetë me ndihmën e teknologjisë.

Pesë viktimat e dhunës në familje të paraqitura në fushatë janë: Michal Sela; Esther Aharonovich; Marin Haj-Yahya; Esther Barhani dhe Sagit Ozeri.

Rikrijimet dinamike të fytyrave dhe lëvizjeve të tyre shoqërohen me zëra nga aktoret izraelite.

Ata sjellin në jetë përmes zërave – historitë e tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore