Lajme

CDC e Afrikës dhe Pfizer, memorandum mirëkuptimi për furnizimet e pilulës COVID-19


Agjencia më e lartë e shëndetit publik në Afrikë dhe Pfizer (PFE.N) kanë rënë dakord për një memorandum mirëkuptimi me Pfizer (PFE.N), për të sjellë në kontinent furnizime me pilulat antivirale të kompanisë farmaceutike Paxlovid për COVID-19.

Kështu deklaroi drejtuesi i agjencisë të enjten e 10 marsit.

Të dhënat nga një studim i fazës së mesme dhe të vonë në nëntor treguan se Paxlovid ishte pothuajse 90% efektiv në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve në krahasim me placebo, tek të rriturit me rrezik të lartë të sëmundjes së rëndë.

John Nkengasong, kreu i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gjithashtu tha se ishte ende duke folur me Merck (MRK.N) për marrjen e furnizimeve të pilulës së saj molnupiravir COVID-19 dhe një telefonatë ishte planifikuar për këtë javë.

“Për situatën e Pfizer-it, ne kemi memorandumin e mirëkuptimit. Memorandumi i mirëkuptimit është me zyrën ligjore në AU, Bashkimi Afrikan”, tha Nkengasong.

“Pasi të sqarohet, ne do të bëjmë zyrtarisht një njoftim me Pfizer-in dhe do të japim detaje”.

Një panel i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) javën e kaluar mbështeti përdorimin e molnupiravirit për pacientët me rrezik të lartë, siç janë personat me imunitet të kompromentuar, të pavaksinuarit, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Pilula Merck ka qenë në kërkesë më të ulët se ilaçi Pfizer, për shkak të efikasitetit relativisht të ulët dhe çështjeve të mundshme të sigurisë për grupe të caktuara.

Qeveria e Afrikës së Jugut ka thënë se nuk po planifikonte të blinte pilulën Merck për arsye kostoje, pavarësisht se ilaçi mori miratimin nga rregullatori shëndetësor i vendit.

Nkengasong bëri me dije se vendet afrikane duhet të përdorin një kombinim të masave të shëndetit publik, vaksinave, testimeve, trajtimeve Pfizer dhe Merck në përpjekjet e tyre për të kapërcyer pandeminë COVID-19 këtë vit.

“Këto molekula kanë një rol shumë unik për të luajtur në një fushatë për të luftuar kundër kësaj pandemie të tmerrshme”, tha ai.

Nkengasong shprehu një shqetësim për vendet ku nivelet e vaksinimit ishin ende shumë të ulëta, të cilat përfshijnë shumicën e vendeve afrikane, duke thënë se njerëzit nuk duhet të jenë të vetëkënaqur, pasi virusi ende përbënte një rrezik të madh.

“Sigurisht që lufta që po ndodh në Ukrainë ka hequr shumë vëmendje nga COVID-19, gjë që është për të ardhur keq, sepse COVID-19 tani ka vrarë afër 6 milionë njerëz”, tha ai.

“Nëse vdekja e 6 milionë njerëzve nuk na trondit, atëherë nuk e di se çfarë mund të na tronditë në njerëzimin tonë”.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore