Film

“Cast Away”, film për njerëzimin dhe vetminë


“Asnjë jetë e vetme njerëzore, as edhe jeta e vetmitarit në natyrën e egër, nuk është e mundur pa një botë, e cila, në mënyrë direkte ose indirekte, dëshmon prezencën e qenieve tjera njerëzore”, Hannah Arendt, Gjendja Njerëzore.

Gjendja njerëzore në kushte ekstreme, është edhe vetë ekstreme. Kushtet ekstreme të njerëzimit janë trajtuar sidomos në shekullin e kaluar: të mbijetuarit e Holokaustit, refugjatët, të burgosurit dhe pengjet e luftës, e shumë të tjerë, janë studiuar për të kuptuar thellësinë, brishtësinë dhe qëndrueshmërinë e natyrës dhe shpirtit njerëzor kur shtyhet deri në skajet e saj.

Një gjendje të skajshme njerëzore na e paraqet edhe filmi i regjisorit Robert Zemeckis “Cast Away” (2000). Edhe filmat e Robert Zemeckis janë si kutia e çokolatave te “Forest Gump”: Kurrë s’mund të jesh i sigurt se çfarë ka brenda.

Filmi “Cast Away” na e paraqet një punëtor profesionist të kompanisë FedEx, Chuck Noland (Tom Hanks), i cili është në një fluturim pune, kur aeroplani i tij rrëzohet në Oqeanin Paqësor. Ai arrin të dal në një ishull të shkretë e të pa jetë, krejtësisht i vetëm. Tentimet e tij për të lundruar nga ishulli janë të kota, dhe ai duhet t’i bëjë ballë pamundësisë dhe mbijetesës së rëndë.

Noland-i jeton katër vjet izolimi social dhe vetmie në një ishull. Fraza e famshme e Sartrit se “Ferri është tjetri”, këtu e përjeton zhgënjimin ontologjik të saj. Nolani nuk e ka Tjetrin. Ai është në vetminë absolute të realitetit.

Por vetmia e papërballueshme e qenies së tij, pamundësia ontologjike e Unë-it pa ekuacionin e Tjetri-t, Nolanin e bënë të antropomorfizojë topin e tij të volejbollit, të bisedojë, të qeshë, ta dojë, ta ketë mikun e tij të vetëm, Tjetri-n e tij të vetëm. Ai është Wilson-i, topi i tij i personifikuar në personazh. Vuajtja më e madhe e Nolanit është kur e humb Wilsonin.

Chuck Noland: Wilson!!! WILSON!!! I’m Sorry!! I’m Sorry!!! WILSON!!!!! I’m Sorry Wilson!!! I Can’t!!

Vetmia e Nolan-it s’është romantike, Wilsoni-i është përvoja e vetme e qenësisë së tij njerëzore. Vetmia është më e keqe se jeta e rëndë, kaotike, e stresshme, mes njerëzisht si ekzekutiv i FedEx.

Robinson Crousoe, heroi vetmitar i letërsisë së botës perëndimore, së paku kishte një qen, dy mace, papagall, dhe të premteve edhe shoqërues njerëzor.

Filmi i Robert Zemeckis e konfronton idenë romantike në kulturës perëndimore për vetmitarin heroik, individualist, narcisist, me nevojën për Tjetri-n, ku në skajshmërinë e saj bëhet edhe topi i volejbollit të Nolan-it, Wilson-i. Nolani ka nevojë Wilson-in, edhe pse ai është gjësend, objekt, nuk përgjigjet. Njeriu është fundamentalisht social.

“Njerëzit (në shumës), kanë përvojën e plotëkuptimshërisë së jetës vetëm sepse mund të bisedojnë dhe t’i japin kuptim njëri tjetrit dhe vetes”, Hannah Arendt, Gjendja Njerëzore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore