Sport

Cassano: Nëse Juve humb kundër Milan-it, lamtumirë Scudetto


Antonio Cassano, ish-lojtari i Roma-s, Real Madrid-it, Inter-it dhe Milan-it, ka folur rreth situatës së tanishme te Juventus-i i Massimiliano Allegri-t.

Juventus-i nuk ka arritur të marrë akoma fitoren e parë në Serie A për këtë sezon. Në tre ndeshjet e para “Zonja e Vjetër” ka marrë vetëm një pikë.

Bardhezinjtë kanë humbur përballë Napoli-t dhe Empoli-t, ndërsa kanë barazuar me Udinese-n.

“Allegri nuk ka më kampionë”, ka thënë Cassano për “Bobo TV”, duke iu referuar largimit të Cristiano Ronaldo-s.

“E thashë para kampionatit, Allegri do të ketë shumë probleme. Dhe tani ai ka 30 gola më pak pa Ronaldo-n. Është një Juve pa kokë ose bisht”.

“I vetmi kampionë që ka mbetur është (Giorgio) Chiellini dhe unë nuk shoh të tjerë. Max ka marrë një përgjegjësi të madhe, por është një situatë shumë e komplikuar”.

“Nëse Juve humbet kundër Milan-it, janë jashtë garës për Scudetto”, ka shtuar më tej ish-sulmuesi.

Juventus-i do të presë Milan-in në javën e katërt të Serie A. Ndeshja do të luhet në “Allianz Stadium”, të dielën më 19 shtator, duke filluar nga ora 20:45.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore