Çanak për AP: Vuçiç do që situata në veri të kthehet ashtu siç ishte para Banjës

SHFLETO

Nenad Çanak

 

Valon Rashiti
15.09.2024 15:27
Loading Icons...

Ish-deputeti serb dhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka thënë se kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për Kosovën tregojnë qartë se kushtet e veprimet e mëparshme të Beogradit kanë rezultuar të jenë të gabuara dhe të pasuksesshme.

“Tërheqja e serbëve nga policia, gjyqësori dhe bojkoti i zgjedhjeve u bazua në idenë se grupi i Radojiçiçit do të fillonte një konflikt, i cili me ndihmën e forcave të armatosura nga Serbia, do të krijonte një lloj ‘Rajoni Autonom Serb’ që nuk do të njohin autoritetin e Prishtinës (një recetë e parë në fillim të viteve 1990 në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë)”, tha Çanak në një bisedë për Albanian Post.

Tash për politikanin jotipik serb, i cili përveç me bindje liberale, ai është ndër të rrallët që ka pranuar shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, meqë plani ka dështuar, Beogradi tani po përpiqet ta kthejë situatën në gjendjen para incidentit të Banjës ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Meqë plani ka dështuar, Beogradi tani po përpiqet ta kthejë situatën në gjendjen para incidentit në Banjës, të cilin Prishtina logjikisht e refuzon. Beogradi synon ta paraqesë këtë refuzim para bashkësisë ndërkombëtare si mungesë bashkëpunimi të Kurtit në zgjidhjen e çështjes së serbëve në Kosovë dhe ky është thelbi i planit’, ka shpjeguar Çanak.

Ndryshe, shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç për Kosovën.

Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiç ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojnë sjelljen dhe gjuhën armiqësore të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kundër Kosovës.

Këto komente, Gërvalla i ka bërë përmes një postimi në Facebook, një ditë pasi që Vuçiç mbajti konferencën ku shpalli shtatë masa gjoja për mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

“Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiç-it karshi Republikës së Kosovës”, shkroi Gërvalla.