Shqipëria

Caktohet trupa gjykuese për “çështjen Llalla”


Pas apelimit të ish-Prokurorit të Përgjithëm, Adriatik Lalla, mbi vendimin e Gjykatës së Posaçme, për dënimin e tij, është caktuar edhe trupa gjykuese që do të drejtojë çështjen.

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka caktuar Nertina Kosovën si kryesuese apo relatore, Saida Dollani dhe Dhimitër Lala si anëtarë.

Ankimi është dorëzuar në Gjykatë më 3 qershor.

Gjykata e Posaçme, më herët, e ka dënuar me dy vite burg dhe ka vendosur që Llallës t’i hiqet për pesë vite e drejta për të ushtruar funksione publike.

Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.

Adriatik Llalla do të ketë 15 ditë kohë pas publikimit të vendimit për ta ankimuar në Apel dhe vetëm pas kësaj vendimi bëhet i zbatueshëm.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme.

Hetimi ndaj Llallës nisi më 15 mars 2018 në Prokurorinë e Durrësit, por më pas u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda.

Ai thuhet se nuk ka deklaruar një shumë prej 7 mijë e 400 dollarë të shpenzuara në SHBA, një shumë për ndërtimin e një banese, si dhe shpenzime të kryera në Gjermani.

Llalla u dyshua për katër vepra penale, mes të cilave edhe “pastrim i parave” dhe “shpërdorim i detyrës”, por në përfundim të hetimit SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vetingut. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore