Kosova

Caktohet një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen në Gjilan


Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan, u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pesë të pandehurve të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin me armë zjarri në Gjilan, ku si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë një person.

“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh pesë pandehurve V. H., E. N., R. I., A. S. dhe B. K”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të gjykatës, thuhet se të pandehurit të pajisur me dy lloje të armëve, të zjarrit të llojit “Zoraki” të kalibrit 9 mm dhe 7.65 mm, kanë shkrepur shtatë fishekë në drejtim të njëri – tjetrit, “ku nga shkëmbimi me armë ka mbetur i vdekur E. R., dhe plagë të rënda trupore me armë ka pësuar i pandehuri V. H.”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 08.11.2021, rreth orës 20:40 minuta, në lagjen ‘Arbëria’, në Gjilan, afër shtëpisë së të ndjerit E.R., pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi në të holla në mes të pandehurve, të pandehurit me dashje, me veprim të drejtpërdrejt kanë privuar nga jeta tani të ndjerin E.R.”, vijon njoftimi.

Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje “kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ilustrim

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me suksese të procedurës penale”.

Ndërkaq, lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari kësaj komune, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se është tronditur pas ak​tit të vrasjes së një personi dhe të plagosjes së një tjetri në Gjilan, gjatë ditës së hënës.

Ai ka ftuar organet e drejtësisë që ta zbardhin këtë rast deri në fund.

“Jam i tronditur pas lajmit të mbrëmshëm për vrasjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri në Gjilan. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, ndërsa kërkoj nga organet e drejtësisë që ky rast të zbardhet deri në fund”, tha Haziri.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit

Ndërsa, Drejtori i Ortopedisë në Klinikën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Gani Jashanica, ka bërë të ditur se gjendja e të plagosurit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Ai është jashtë rrezikut për jetë, gjendja e përgjithshme është e mirë. Ka një plagë në regjionin e kofshës. Por diçka rrezik nuk ka, nuk ka asht të thyer”, potencoi Jashanica.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore