Gjykata Speciale

Byrnes: Veseli ishte i respektuar në rangjet e UÇK-së


Shaun Byrnes dhe Ben Emmerson.

Ish shefi i misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes, është duke u marrë në pyetje në ditën e tretë nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Byrnes, në fillim të seancës është pyetur lidhur me bisedat që kishte pasur vitin e kaluar me një nga prokurorët e Speciales.

Emmeron, i parashtroi pyetje atij nëse ishte deklaruar lidhur me aktivitetet e jashtme të zbulimit të inteligjencës së Kadri Veselit, kur ishte pyetur nga Specialja, por ai tha se nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen.

Byrnes, u shpreh se gjatë kohës së luftës ai kishte dëgjuar për Kadri Veselin vetëm si emër, duke thënë se ishte i respektuar në rangjet e UÇK-së.

“E kishim dëgjuar z. Veseli si emër. Ka qenë një person shumë misterioz sepse na kishin thënë, ose të paktën kishte të dhëna që ai ishte shumë i afërt me Hashim Thaçin dhe se kishin qenë miq të ngushtë që në kohën e studimeve në Universitetin e Prishtinës në fillim të 1990 dhe ai ishte një person i respektuar në rangjet e UÇK-së, por askush nuk fliste për funksionet dhe rangjet e tij”, tha ai.

“Unë nuk e kam njohur z. Veseli dhe as nuk e kam takuar ndonjëherë dhe si fakt as nuk e kam idenë se çfarë bënte. Ishin përhapur fjalë që ai merrej me veprimtari zbulimi apo inteligjencë”, tha ai.

Ai është pyetur edhe për numrin e zonave dhe përpjekjeve për të ulur numrin e këtyre zonave.

Ndërsa, është pyetur edhe për Halil Bicaj dhe marrëveshjen që ishte nënshkruar me disa pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shqipëri, por që dëshmitari tha se “nuk e mban në mend Halil Bicajn”.

Pjesë nga intervistimi:

Emmerson: Shikojmë këtu që zotëri Ferdinandos, ju ka kontaktuar juve që të ju bënte një pyetje “nëse ju kishit njohuri personale të aktiviteteve të jashtme të zbulimit të inteligjencës së zotërit Kadri Veselit ndërmjet nëntorit 98 dhe fundit të luftës?” dhe përgjigja juaj ishte që “jo nuk kishit njohuri”.

Kështu që unë nuk do të ju pyes lidhur me këtë, por në lidhje me gjërat që ju mund të na tregoni. Së pari, a e keni kuptuar pyetjen lidhur me aktivitetet e jashtme të zbulimit të inteligjencës?

Byrnes: Në fakt nuk është se e kuptova në mënyrë të saktë se çka i referohej prokurori në atë kohë.

Emmerson: Kur thonit që nuk e dinit, nuk e kuptuat?

Byrnes: Unë e kuptova që do të thoshte mbledhje e informacioneve jashtë Kosovës.

Emmerson: A ju pyeten juve nëse roli i Veselit, ishte edhe ndërveprimi me agjenci të tjera, pra agjenci të jashtme? Prokurori e kundërshton këtë pyetje. 

Emmerson: Kishim shtatë zona megjithatë kishte përpjekje për të shkurtuar këto zona nga shtatë në tre. Megjithatë nuk arritën ta bënin këtë apo jo?

Byrnes: Po.

Emmerson: Ata nuk merrnin asnjë udhëzim nga shtabi i përgjithshëm sa i përket organizimit të tyre apo jo?

Byrnes: Po, kështu ka qenë.

Emmerson: Ka një dokument që është nënshkruar nga përfaqësuesë të Bugoshit dhe përfaqësues të UÇK-së në Shqipëri, që po përpiqeshin që këto përplasje t’i shoqëronin dhe të bashkoheshin të dy kahet. A jeni të informuar për këtë marrëveshje?

Byrnes: Jo.

Emmerson: A e dini ku ka qenë Halil Bicaj, në tetor të asaj periudhe?

Byrnes: Jo.

Emmerson: Pra, ju nuk dini asgjë se si është zgjidhur ky konflikt?

Byrnes: Jo, nuk di asgjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore