Shqipëria

Bylykbashi zbulon propozimet për Reformën Zgjedhore, një ndër to listat e hapura


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (grupimi Rithemelimi) ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje, ku ka nisur me prezantimin e Platformës së Reformës Zgjedhore nga ana e deputetit Oerd Bylykbashi.

Ky i fundit ka artikuluar se Rithemelimi i PD kërkon rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti anëtare e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit.

Kjo, duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit.

Më tej Bylykbashi shtoi se kërkohet edhe eliminimi i pabarazisë së votës, listat e hapura, vota e diasporës shqiptare si edhe analizimi i problematikave të shfaqura në zgjedhjet e fundit sa i përket votimit elektronik.

“PD angazhohet që të analizojë me seriozitet problematikat serioze të shfaqura në zgjedhjet e fundit për sa i përket procesit të votimit dhe numërimit elektronik, me qëllim arritjen e një vendimmarrje  përfundimtare e cila di t’i japë fund fazës hibride të pilotimit të tij në disa zona, nëpërmjet shtrirjes së tij në të gjithë vendin, ose heqjes dorë përfundimisht prej këtij sistemi”.

Sipas tij, KQZ ka dështuar të zbatojë garancitë që ligji parashikon për zgjedhësin që të konfirmojë dhe hedhë votën në liri të plotë.

Votimi nga persona të tretë dhe/ose operatorë teknikë të KQZ përbën vepër penale dhe është antikushtetues sipas jurisprudencës kushtetuese te 2002. Mungesa e një auditimi të pavarur të certifikuar, pas tre pilotimesh nga viti 2021, cenon besimin në menaxhimin e votimit elektronik.

Nga ana tjetër deputeti Helidon Bushati është shprehur se nuk mund të bëhet reformë zgjedhore pa pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Ne nuk mund të bëjmë reformë zgjedhore pa pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve. E theksoj fort sepse nuk mund të bëjmë ne reformë zgjedhore pa mbështetjen e amerikanëve. Vetëm kur përmirësuam marrëdhëniet me amerikanët ne mundem të marrim atë çfarë morëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore