Kultura

Bylisi shija e antikitetit


Një qytet antik i ndodhur afër Fierit, i shndërruar në një park arkeologjik, ndër më të mëdhenjtë në Ilirinë e jugut, ofron pamje të mrekullueshme për të gjithë ata që janë të apasionuar pas historisë.

Nga shekulli i IV para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri një shekull më vonë, u ndërtuan disa prej veprave më madhështore të qytetit, ku përmenden teatri, stadiumi, depozita e ujit, gjimnazi, dy shëtitore, banesa të ndryshe, rrënojat e të cilave mund t’i hasim edhe sot.

Bylisi i vjetër ishte i ndarë në tre zona, dhe u ndërtua ne baze te planit arkitektonik te Hipodamnit.

Nga ai shkëlqim i së shkuarës, spikasin rrënojat e teatrit 7500 vendësh, të cilat të mundësojnë një udhëtim të bukur në historinë dhe arkitekturën e qytetit.

Teatri përbëhej nga 40 shkallare, dhe sot mund të shikohen ende disa ndenjëse prej guri, muret mbajtëse të teatrit apo bazamenti i orkestrës.

Edhe nga Stadiumi i Bylisit mund të vërejmë 19 shkallë prej guri, që e bëjnë pas Amantias stadiumin e dytë më të mirëmbajtur nga antikiteti në Shqipëri.

Krahas objekteve të rëndësishme publike, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta.

Gjatë shekullit të V pas Krishtit nisën të ndërtoheshin disa kisha, rrënojat e të cilave sot përbëjnë disa nga dëshmitë më të rëndësishme paleokristiane në Shqipëri.

Deri më sot janë zbuluar 5 të tilla, si brenda mureve rrethuese të qytetit, ashtu edhe jashtë tyre.

Pozita mbizotëruese mbi kodrat e Mallakastrës, peizazhet e lumit Vjosa dhe gjelbërimi që rrethon Parkun Arkeologjik të Bylisit, bëjnë që ky destinacion të ofrojë një rrugëtim të rrallë në të shkuarën e vendit.

Jo më kot, në një nga epigramet e zbuluar në atë zonë shkruhej “O i huaj, mos e shmang vështrimin nga bukuria e Bylisit.”

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore