Butikofer: Rrenat e Vuçiçit po krijojnë mjedis të favorshëm për agresion kriminal kundër Kosovës

Eurodeputeti gjerman nga radhët e “Të Gjelbërve”, Reinhard Butikofer, reagoi ashpër kundër propagandës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, një ditë pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se po kryen “spastrim etnik” me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Butikofer, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij zyrtare në platformën “X”, dënoi gjuhën luftënxitëse të presidentit serb në një takim me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharchenko, paraditen e së hënës, ku ndër të tjera shprehu “mirënjohjen” e tij për ambasadorin rus që “dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe” rreth situatës në Kosovë.
“Vuçiçi gënjen me paturpësi: në Kosovë nuk ka spastrim etnik. Gënjeshtrat serbe po krijojnë një mjedis të favorshëm për agresion kriminal kundër Kosovës. Narrativa e Vuçiçit i jep justifikim ekstremizmit serb”, shkroi eurodeputeti gjerman, derisa pyeti: A do t’i vendosë Bashkimi Evropian (BE) sanksione Serbisë për këtë sjellje?
Dita e hënë (25 shtator) do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit dhe drejtësisë.
Eurodeputeti gjerman: Vrasja në veri i ka rrënjët te propaganda agresive e Serbisë
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com