Gatimi

Burrito, krijimi amerikan i ngecur në Meksikë


Pavarësisht këshillave mbi ushqyerjen, gatimet e shpejta mbeten mjaft të preferuara nga ne. Njëri prej tyre që kryeson dhe falë llojshmërisë në përgatitje është “burrito”. Ai mendohet se është një gatim shumë i famshëm i kuzhinës meksikane. Por në të vërtetë ata e mohojnë një fakt të tillë, duke thënë që njerëzit e cilësuan si të tyre, por në fakt u përket amerikanëve.

Mjafton të mbështillet në formë cilindri të mbyllur dhe konsumohet lehtësisht kur jemi në lëvizje. Ndaj tortilla mund të piqet dhe në skarë, për ta zbutur pak dhe për ta bërë më të përpunueshëm gjatë mbushjes.

Në Meksikë, burrito mbushet kryesisht me mish dhe pure fasulesh. Ndërsa në SHBA, mund të kombinohet me një llojshmëri përbërësish.

Ato mund të jenë oriz, fasule të ziera, marule, mish, guakamole, djathë, salcë kosi ose salca të tjera dhe perime të ndryshme.

Historia

Para se të arrihej tek burrito modern, rreth 10 mijë vite para Krishtit popujt mesoamerikanë të Meksikës përdornin tortilla me miell misri.  Ata i mbushnin me speca djegës, domate, kërpudha, kunguj dhe avokado.

Ndërsa në zonën e SHBA-së Jugperëndimore tortilla mbushej me fasule dhe salcë mishi, ngjashëm me burriton e sotëm.

Për sa i përket origjinës së tij, legjendat e lidhin me cowboys të Meksikës veriore në shekullin e XIX-të.

Në vitin 1895, burrito përkufizohej si “një tortilë e mbështjellë me mish ose përbërës të tjerë brenda, të quajtur ‘coçito’ në Jukatan dhe ‘taco’ në qytetin Cuernavaca dhe Mexico City”.

Por sot numërohen disa variete të burritos.

Meksikë

Burrito origjinal meksikan zakonisht është i vogël dhe i hollë, me tortilla që përmbajnë vetëm një ose dy përbërës të ndryshëm.  Ato mund të kombinohen me mish ose peshk, patate, oriz, fasule, djathë asadero dhe produkte të tjera vendase.

San Francisco

Njihet me emrin burrito stili mision, për shkak të emrit të lagjes në të cilën është përgatitur në vitet 1960-1970.  Ky lloj burrito karakterizohet nga një tortilla e madhe, e mbështjellë në letër alumini. Ai mund të mbushet me carne asada (mish lope), oriz në stil meksikan, fasule, salcë kosi dhe qepë.

San Diego

Burrito i Kalifornisë përbëhet nga copa mishi carne asada, patate të skuqura, djathë, koriandër, salcë kosi, qepë dhe guakamole.  Variantet e tij përfshijnë produkte si karkaleca, carnitas (mish derri) ose mish pule.

Sushi Burrito

Mbështillet në tortilla dhe mbushet me peshk ton djegës, tempura (pjatë japoneze – perime ose fruta deti të skuqura shumë) dhe kastravec.

Burrito i mëngjesit (Breakfast Burrito)

Përbëhet nga ushqime që konsumohen kryesisht në mëngjes, sidomos vezët e skuqura, të mbështjellë me një tortilla. Ky stil u shpik dhe popullarizua në disa kuzhina rajonale amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore