Sport

Bundesliga: Union Berlin i rikthehet garës për titull, zhgënjen Leipzig


Kanë përfunduar pesë takimet e para të kësaj të shtune në Bundesliga-n gjermane. Union Berlin është rikthyer te gara për titull pas fitores 3-0 ndaj Stuttgart. Zhgënjimi i ditës ka ardhur nga Leipzig, pasi u mund 3-0 në shtëpi nga Mainz.

Në takimet e tjera, Bayer Leverkusen mundi 3-0 Schalke, Freibug barazoi 1-1 me Hertha dhe Augsburg barazoi 2-2 me Wolfsburg.

Union-i triumfoi me golat e Sheraldo Becker, Kevin Behrens dhe autogolin e Genki Haraguchi. Me fitoren e arritur, skuadra nga Berlini shkon në kuotën e 51 pikëve, në vendin e tretë në renditje. Dy pikë më shumë se ta ka Borussia Dortmund që kryeson kampionatin dhe një më shumë ka Bayern Munich i vendit të dytë.

Kujtojmë që verdhezinjtë dhe bavarezët përballen këtë të shtunë në “Allianz Arena”, duke filluar nga ora 18:00.

Mainz triumfoi në “Red Bull Arena” falë golave të Marcus Ingvartsen, Ludovic Ajorque dhe Dominik Kohr. Fitorja i ngjit ata në vendin e tetë me 40 pikë. Megjithatë, vendi i fundit për zonën Champions League që mbahet nga Freiburg është shtatë pikë larg.

Leverkusen fitoi në “VELTINS-Arena” me golat e Jeremie Frimpong, Florian Wirtz dhe Serdar Azmoun. Një fitore e cila e ngjit në vendin e shtatë me 40 pikë. Edhe për ta zona Champions League është shtatë pikë larg.

Vincenzo Grifo shënoi golin e vetëm të Freiburg në barazimin 1-1 me Hertha-n. Për miqtë goli erdhi nga Jessic Ngankam. Pavarësisht se nuk arriti të fitonte, Freiburg mban ende vendin e katërt dhe të fundit që të dërgon në Champions League sezonin e ardhshëm. Ata kanë 47 pikë aktualisht.

Hertha gjendet në vendin e 16 me 22 pikë, vetëm një pikë larg rënies nga kategoria. Megjithatë janë në zonën e play-off për qëndrim apo rënie në fund të sezonit.

Në “Volkswagen Arena” miqtë nga Augsburg fitonin deri në sekondat e fundit të sfidës, para se ndeshja të barazohej. Goli i Mërgim Berishës dhe autogoli i kapitenit të vendasve Maximilian Arnold po i jepte avantazhin miqëve.

Arnold gjithashtu do të shpërdoronte edhe një 11 metërsh. Mirëpo, pjesa e dytë e sfidës do të ishte jetike për pikën e vendasve. Fillimisht do të shënonte Luca Waldschmidt dhe më pas Felix Nmecha.

Me rezultatin e arritur, Wolfsburg ngjitet në vendin e tetë me 39 pikë. Augsburg ka 29 pikë dhe qëndron në vendin e 12.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore