Sport

Bundesliga/ Rikthehet Leipzig-u, shpartallon Hertha-n, ndalet Wolfsburg-u


Kanë përfunduar katër ndeshje në Bundesliga gjermane. Leipzig-u ka arritur një fitore me rezultat tenistik 6-0 përballë Hertha-s.

Wolfsburg-u ka humbur me përmbysje përballë Hoffenheim-it. Union Berlin-i dhe Bayer Leverkusen-i kanë marrë fitore. Eintracht Frankfurt-i ka barazuar me Koln-in.

Leipzig-u ka arritur fitoren më të thellë në ndeshjet e javës së gjashtë në Bundesliga. Vendasit shënuan nga tre gola për pjesë.

Goli i parë erdhi nga Christopher Nkunku, më pas shënuan edhe Yussuf Polsen-i dhe Nordi Mukiele. Lukas Klostermann i Leipzig-ut shënoi gol në minutën e 37, por pas ndërhyrjes së VAR, goli u anulua.

Në pjesën e dytë shënuan Emil Forsberg-u, Nkunku dhe Amadou Haidara. Me dy gola dhe një asist, Nkunku u shpall lojtari më i mirë i takimit.

Hoffenheim-i arriti të ndalonte vrullin e fitoreve të Wolfsburg-ut. Golin e parë të takimit e shënoi Wolfsburg-u me anë të Ridle Baku-t. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Andrej Kramaric barazon gjithçka në 1-1.

Në pjesën e dytë vendasit do të shënonin edhe dy herë të tjera. Fillimisht me Christoph Baumgartner-in dhe më pas me Pavel Kaderabek-un.

Leverkusen-i ka arritur të marrë një fitore minimale 1-0 përballë Mainz-it, por me shumë vlera. Fitorja e dërgon në vendin e dytë të renditjes, pas humbjes së Wolfsburg-ut. Golin e fitores së vendasve e shënoi Florian Wirtz-i.

Union-i ka arritur të triumfojë përballë Armina Bielefeld-it me rezultatin minimal 1-0. Kevin Behrens-i i dha tri pikët vendasve me golin e shënuar dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit.

Eintracht-i ka ndarë nga një pikë me Koln-in pas barazimit në shifrat 1-1. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë të takimit.

Fillimishit shënuan miqtë me anë të Ellyes Skhiri-t dhe më pas vendasit me anë të Rafael Santos Borre-s, në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Ndeshja e fundit e të shtunës në Bundesliga do të jetë ajo midis Borussia Monchengladbach-ut dhe Borussia Dortmund-it. Sfida do të luhet duke filluar nga ora 18:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore