Sport

Bundesliga/ Ndjekësit e Bayern-it zbresin në fushë, gjashtë sfidat e ditës


Gjashtë ndeshje do të luhen këtë të shtunë në Bundesliga gjermane. Përkatësisht pesë ndeshje do të luhen duke filluar nga ora 15:30 dhe ndeshja e fundit në 18:30.

Sfidat do të jenë për llogari të javës së tetë në Bundesliga. Javë e cila nisi të premten me përballjen mes Hoffenheim-it dhe Koln-it, e fituar me rezultatin 5-0  nga vendasit.

Në stadiumin “An der alten Forsterei”, Union Berlin-i vendas do të presë Wolfsburg-un. Në renditje vendasit kanë 12 pikë dhe renditen të gjashtët. Vendi pestë dhe 13 pikë janë për miqtë në renditje.

Përballja e fundit mes tyre ka përfunduar në shifrat 3-0 për Wolfsburg-un. Në kampionat, Unioni ka fituar ndeshjen e fundit 2-1 përballë Mainz-it. Wolfsburg-u ka humbur 3-1 përballë Borussia Monchengladbach-ut.

Borussia Dortmund-it do të presë në “Signal Iduna Park” skuadrën e Mainz-it. Vendasit kanë 15 pikë në renditje, një pikë më pak se Bayern-i kryesues. Miqtë kanë 10 pikë dhe gjenden në mesin e tabelës.

Përballjen e fundit mes dy skuadrave e fitoi Dortmund-i me shifrat 3-1. Në kampionat Dortmund-i ka fituar ndeshjen e fundit përballë Augsburg-ut në shifrat 2-1. Mainz-i ka humbur përballë Union-it.

Eintracht Frankfurt-i do të përballet me Hertha-n në “Commerzbank Arena”. Eintracht-i ka tetë pikë në renditje. Miqtë nga kryeqyteti kanë gjashtë pikë. Skuadrat gjenden në pozitja jo fort të mira në kampionat.

Ndeshjen e fundit mes dy skuadrave e fitoi Eintracht-i me rezultatin 3-1. Në kampionat Eintracht-i ka fituar ndeshjen e fundit përballë Bayern Munich-ut me rezultatin 2-1. Hertha ka humbur me rezultatin 2-1 përballë Freiburg-ut.

Freiburg-u do të presë Leipzig-un në shtëpine e re “Europa-Park”. Vendasit kanë 15 pikë në renditje. Miqtë kanë 10 pikë.

Përballja e fundit mes dy skuadrave ka përfunduar me fitoren e Leipzig-ut në shifrat 3-0. Në kampionat të dy skuadrat e kanë fituar ndeshjen e fundit. Përkatësisht, Freiburg-u përballë Hertha-s dhe Leipzig-u përballë Bochum-it në shifrat 3-0.

Greuther Furth-i do të presë në “Sportpark Ronhof Thomas Sommer” skuadrën e Bochum-it. Të dy skuadrat janë në vendet e fundit të renditjes. Përkatësisht, Furth-i ka një pikë në vendin e 18 dhe Bochum-i katër pikë, në vendin e 17.

Përballjen e fundit mes tyre, e luajtur në Bundesliga 2 sezonin e kaluar e ka fituar Furth-i me shifrat 2-1. Në kampionat, të dy skuadrat e kanë humbur ndeshjen e fundit. Furth-i humbi 3-1 përballë Koln-it dhe Bochum-i 3-0 përballë Leipzig-ut.

Ndeshja e fundit për të shtunën në Bundesliga do të luhet në “Borussia-Park”. Vendasit e Borussia M’gladbach-ut do të presin Stuttgart-in. Skuadrat janë pranë njëra-tjetrës në renditje. Vendasit kanë 10 pikë dhe miqtë tetë pikë.

Përballjen e fundit mes tyre e ka fituar Stuttgart-i me rezultatin 2-1. Në ndeshjen e fundit të kampionatit, Monchengladbach-u fitoi 3-1 përballë Wolfsburg-ut dhe Stuttgart-i 3-1 përballë Hoffenheim-it.

Të dielen do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës së tetë në Bundesliga. Bayer Leverkusen-i do të ketë një përballje për vendin e parë me Bayern Munich-un. Augsburg-u do të presë Armina Bielefeld-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore