Sport

Bundesliga/ Bayern-i tërmet shtatë ballësh Bochum-it


Katër sfidat e orës 15:30 në Bundesliga kanë përfundur. Nëse në tre takime nuk u shënua më shumë se një gol, Bayern Munich-u ka shënuar i vetëm shtatë gola.

Dy ndeshje përfunduan në barazim pa gola, një fitore minimale për Augsburg-un dhe një fitore e madhe për Bayern-in. Këto ishin rezultatet e katër ndeshjeve të para në Bundesliga.

Bayern-i i shkaktoi tërmet Bochum-it të Elvis Rexhbecajt. Katër gola në pjesë të parë dhe tre në pjesë të dytë shënuan bavarezët.

Serinë e golave e hapi, Leroy Sane, në minutën e 17 dhe 10 minuta më vonë ai asistoi për Joshua Kimmich-in.

Goli i tretë erdhi në minutën e 32 nga Serge Gnabry, pas asistit të Thomas Muller-it. Ndërsa, goli i katërt ishte një autogol nga miqtë. Në të 43 minutë, Vasilis Lampropoulos shënoi në portën e tij.

Në pjesën e dytë ishte radha e Robert Lewandowski-t për të shënuar. Polaku shënoi në minutën e 61. Katër minuta më vonë shënoi përsëri Kimmich-i, që kësaj radhe u asistua nga Leon Goretzka.

Shifrat përfundimtare të takimit do i vuloste goli i Eric Maxim Choupo Moting-ut në të 79 minutë. Muller-i do të shënonte edhe golin e tetë për Bayern-in, por pas rishikimit në VAR, u anulua.

Bayern-i me fitoren e arritur ngjitet në krye të Bundesliga me 13 pikë në pesë ndeshje. Por, do i duhet të presë ndeshjen e Wolfsburg-ut, për të mësuar nëse do të jetë në krye pas përfundimit total të javës së pestë në Bundesliga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore