Lajme

Bullgaria po shqyrton rifillimin e furnizimit me gaz rus


Bullgaria po shqyrton mundësinë e rifillimit të furnizimit me gaz nga Gazprom-i rus, e cila u ndalua për shkak të refuzimit të Sofjes për të paguar në rubla.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi vendas “BTV”, duke cituar kreun e Ministrisë së Energjisë, Rosen Hristov.

“Ne i konsiderojmë si prioritet furnizuesit alternativë. Nuk do të jem unë ministri që do ta lë popullsinë e vendit të ngrijë në dimër”, tha ai.

Sipas tij, kushtet e vendosura nga Rusia janë të njëjta me ato të vendeve të tjera evropiane dhe ato i përmbushin.

“Ne nuk do të devijojmë nga politika evropiane. Blerja e gazit nga Gazprom nuk do të thotë se ne largohemi nga kuadri i BE-së. Ne nuk do të pajtohemi me kushte të ndryshme nga ato të Gjermanisë dhe vendeve të tjera kryesore të BE”, shtoi Hristov.

Një ditë më parë, kryetari i bordit të drejtorëve të “Bulgargaz” Ivan Topchiiskyi deklaroi se Bullgaria vazhdon negociatat me “Gazprom”.

Kjo, për rivendosjen e furnizimit me gaz rus, por vendos kushtin e ndryshimit të detajeve të kontratës.

Në fund të prillit, Gazprom ndaloi furnizimin me gaz në Bullgari dhe Poloni për shkak të mospagesës në rubla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore