Shqipëria

Bullgari-Maqedoni e Veriut “përplasen” edhe për pakicat në Shqipëri


Partia e pakicës maqedonase në Shqipëri “Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian” (MAEI) ka dënuar ashpër provokimet, sipas tyre, të Ambasadës Bullgare në Tiranë.

Kjo e fundit, shkruan MAEI-ja, pretendonte në një nga deklaratat e saj të fundvitit se fëmijët e qarkut të Korçës festuan “Krishtlindjet në stilin bullgar” në komunën e Pustecit.

Aleanca i konsideron nga ana e saj si “provokime këto deklarata të Ambasadës Bullgare në Tiranë”.

Sipas saj, maqedonasit në Pustec dhe në viset e tjera të Shqipërisë e festuan “Badnikun” sipas zakoneve tradicionale maqedonase.

Ndërkaq, MAEI-ja vëren se ambasada bullgare nuk e përmend emrin e shkollës fillore dhe të mesme “Mitre Kolefski dhe Trajan Gjeorgjieski” në komunikatën e saj për media.

“Dihet se heroi Trajan Gjeorgjievski nga Pusteci, i cili mban emrin e shkollës, u bashkua me partizanët maqedonas në vitin 1942 dhe u vra në vitin 1944, duke luftuar për lirinë e popullit maqedonas kundër pushtuesve fashistë bullgarë të Maqedonisë së Veriut. Shkollat ​​e komunës së Pustecit tash e 77 vjet mësojnë në gjuhën maqedonase, pa ndërprerje!”, lexohet më tej në deklaratën e aleancës.

MAEI-ja citoi edhe një deklaratë të ngjashme në zonën e Gorës në bashkinë e Kukësit.

Festimet e “Krishtlindjeve sipas stilit bullgar”, konsiderohet prej tyre gjithashtu “një provokim pa takt”.

“Nëntë fshatra në Gorë janë të banuara nga maqedonas të fesë islame. Sipas regjistrimit të fundit në vitin 2011, ata u vetëdeklaruan si maqedonas. Askush nuk deklaroi identitetin bullgar”, thekson më tej deklarata e tyre.

Aleanca maqedonase i dënoi këto deklarata të diplomacisë bullgare duke i quajtur si “marifete primitive”.

Këto të fundit, sipas tyre, përpiqen të përfitojnë nga varfëria në të cilën jetojnë maqedonasit në këto zona në Shqipëri, për t’i paraqitur ata si bullgarë.

“Në dritën e censusit të ardhshëm, që do të mbahet në tetor 2022, ne presim të shohim përpjekje të përforcuara nga autoritetet bullgare për të asimiluar komunitetin maqedonas në Shqipëri”, përmbyllet reagimi i MAEI-së.

Kapitulli BE

Përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u bllokua më 22 qershor për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Kushtet e Bullgarisë përfshijnë refuzimin e qartë të Republikës së Maqedonisë Veriore nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë.

Sakaq, ata kërkojnë ndryshimin e mbishkrimeve apo monumenteve që nxisin urrejtjen ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, do të ravijëzonte në fillim të janarit qëndrimin e Komisionit Evropian se “vetoja bullgare duhet hequr sa më shpejt”.

Kjo e fundit, sipas Pisoneros, po vë në pikëpyetje besueshmërinë e Brukselit zyrtar në raport me shtetet kandidate.

Për Komisionin Europian të dyja shtetet i kanë plotësuar reformat e nevojshme.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore