Sport

Bujar Pllana zgjidhet futbollisti i javës së 27-të në Superligën e Kosovës


Futbollisti i Prishtinës, Bujar Pllana, është zgjedhur futbollisti më i mirë i javës së 27-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke e fituar çmimin “Ylli i Javës”.

Pllana ishte më meritore në fitoren e Prishtinës ndaj Trepçës’89, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar një asistim, ndeshje kjo që bardhekaltrit e fituarn me rezultat 4:1.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Shyqeri Salihu, Selajtin Jerliu dhe Fatmir Mehmeti.

Pllana u shpreh i lumtur për çmimin e fituar, por theksoi se në këtë edicion rëndësi kanë pikët për skuadrën, në mënyrë që sa më herët ta sigurojë mbetjen në Superligë.

“Është nder dhe kënaqësi që të shpallesh më i miri i xhiros në Albi Mall Superligë. Ky çmim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe trajnerëve, andaj i falënderoj shumë për mbështetjen”, tha Bujari.

“Kemi arritur t’i marrim 3 pikë shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtutjeshme të kampionatit, duke synuar daljen në Evrope nga vendi i tretë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të arrijmë objektivin e klubit, daljen në Evropë”, ka theksuar Pllana për faqen zyrtare të FFK-së pas marrjes së çmimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore