Lajme

Bujar Osmani: Marrëveshja e Brukselit në interes për të gjithë rajonin


Dakordësinë e dy palëve, për normalizim të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka përshëndetur Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Në llogarinë e tij në Facebook ai ka shkruar se takimin e së hënës ndërmjet Kurtit e Vuçiçit e konsideron hap të rëndësishëm dhe në interes të të gjithë rajonit.

“Progresi i arritur dje në Bruksel, në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, paraqet një hap të rëndësishëm në interes të gjithë rajonit”, ka shkruar Osmani.

Tutje, Osmani shtoi se Maqedonia si një fqinj i afërt i Kosovës dhe Serbisë, i inkurajojmë që të ndërmerren hapat e mëtejshëm për një zgjidhje përfundimtare – e cila do të siguronte “stabilitet dhe një perspektivë evropiane në Ballkanin Perëndimor”.

Gjithashtu, kryediplomati i qeverisë maqedonase shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar dhe kontribuar në çdo mënyrë të mundshme që do të ishte në funksion të zgjidhjes përfundimtare.

Ndryshe, të hënën e 27 shkurtit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e kanë pranuar planin evropian, mirëpo, marrëveshja nuk është nënshkruar zyrtarisht, por si e tillë vetëm është pranuar nga palët, pra Kosova dhe Serbia.

Po ashtu, është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila përmban gjithsej 11 nene.

Kjo marrëveshje parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë, por nuk përmendet njohja reciproke.

Takimi i radhës në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it pritet të ndodh më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore