Sport

Broja rikthehet në stërvitje


Një lajm i mirë ka ardhur nga Londra për kombëtaren e Shqipërisë në futboll.

Bëhet fjalë për rikthimin në stërvitje të futbollistit të Chelsea-it, Armando Brojës, i cili mungonte që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar.

Këtë lajm e ka bërë publik vetë sulmuesi shqiptar në një postim në rrjetet sociale ku shfaqet në palestër, ndërsa shkruan: “Rekuperimi”.

Broja është jashtë fushës së blertë që nga 11 dhjetori i vitit 2022, ndërsa u dëmtua në minutën e 25-të të ndeshjes miqësore së Chelsea-t me Aston Villa-n, ku këputi ligamentin e gjurit.

Ende nuk dihet se kur do jetë gati për t’u rikthyer në fushën e blertë, por rinisja e stërvitjes është një lajm i mirë sidomos për Shqipërinë që shpresat janë të mëdha që Broja të jetë i gatshëm për ndeshjet e qershorit.

Më 17 dhe 20 qershor, kuqezinjtë duhet patjetër t’i fitojnë gjashtë pikë në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian, ku fillimisht do ta presin Moldavinë, pastaj do të përballen në udhëtim te Ishujt Faroe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore