Sport

Broja edhe më pran West Ham-it


West Ham United duket se do të jetë ekipi i ardhshëm i sulmuesit të kombëtares shqiptare, Armando Brojës.

Mediat në Angli shkruajnë se trajneri i londinezëve, David Moyes është një adhurues i bomberit kuqezi, andaj ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që sa më parë ta sjellin Brojën në klub.

Mediat angleze raportojnë se drejtuesit e West Ham-it janë të gatshëm të ofrojnë deri në 40 milionë euro për shërbimet e Brojës, por Chelsea nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e bomberit kuqezi.

Sipas raportimeve të fundit, blutë e Londrës do të ishin të gatshëm vetëm të lejojnë huazimin e thjeshtë një-vjeçar të Brojës, duke ditur se çfarë lojtari me të ardhme të ndritur kanë në skuadër.

Broja aktualisht gjendet në SHBA së bashku me ekipin e tij, aty ku Chelsea po kryen përgatitjet për sezonin e ri.

20-vjeçari pritet që gjatë ditës së hënë të kthehet në Londër, për ta vendosur të ardhmen për sezonin e ri, që me shumë gjasë pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit, Moyes.

Kujtojmë që sulmuesi shqiptar pati paraqitje shumë të mira në sezonin e kaluar, i cili ishte në huazim te Southampton-i, duke shënuar nëntë gola dhe një asistim në 38 paraqitje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore