Lajme

British American Tobacco do të paguajë 635 milionë dollarë për shkeljet e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut


Kompania British American Tobacco do të paguajë 635 milion dollarë plus interes autoriteteve amerikane pasi një filial pranoi se i shiste cigare Koresë së Veriut në kundërshtim me sanksionet.

Autoritetet amerikane thanë se marrëveshja lidhej me aktivitetin e BAT në Korenë e Veriut midis 2007 dhe 2017.

Kreu i BAT-it, Jack Bowles tha se “ndjen keqardhje për sjelljen e keqe”.

SHBA ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Koresë së Veriut për aktivitetet e saj bërthamore dhe raketore balistike.

Marrëveshja e së martës ishte midis BAT dhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë (DOJ) dhe Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja të Departamentit të Thesarit.

BAT është një nga shumëkombëshet më të mëdha të duhanit në botë dhe një nga 10 kompanitë më të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo zotëron markat kryesore të cigareve duke përfshirë Lucky Strike, Dunhill dhe Pall Mall.

Në një deklaratë, BAT tha se kishte hyrë në një “marrëveshje të shtyrë të ndjekjes penale me DD dhe një marrëveshje civile me OFAC, dhe një filial indirekt i BAT në Singapor ka hyrë në një marrëveshje për pranimin e fajësisë me DD”.

DD tha se BAT kishte komplotuar gjithashtu për të mashtruar institucionet financiare në mënyrë që t’i detyronte ato të përpunonin transaksione në emër të njësive të Koresë së Veriut.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, njihet si një duhanpirës. Vitin e kaluar, SHBA-të u përpoqën të detyronin Këshillin e Sigurimit të OKB-së të ndalonte eksportet e duhanit në Korenë e Veriut, por kjo u vu veto nga Rusia dhe Kina.

Në një konferencë të martën, ndihmësi i Prokurorit të Përgjithshëm të DD-së, Matthew Olsen tha se marrëveshja ishte “kulmi i një hetimi të gjatë”, duke e përshkruar atë si “dënimin e vetëm më të madh të sanksioneve të Koresë së Veriut në historinë e Departamentit të Drejtësisë”.

Ai tha se BAT ishte e angazhuar në një “skemë të përpunuar për të anashkaluar sanksionet e SHBA dhe për t’i shitur produktet e duhanit Koresë së Veriut” nëpërmjet filialeve.

“Midis 2007 dhe 2017, këto kompani të palëve të treta i shitën produktet e duhanit Koresë së Veriut dhe morën afërsisht 428 milionë dollarë”.

Akuza penale u zbuluan gjithashtu kundër bankierit koreano-verior Sim Hyon-Sop, 39 vjeç, dhe lehtësuesve kinezë Qin Guoming, 60 vjeç dhe Han Linlin, 41 vjeç, për lehtësimin e shitjes së duhanit në Korenë e Veriut.

Një shpërblim prej 5 milion dollarësh u vendos për çdo informacion që çon në arrestimin ose dënimin e zotit Sim dhe 500 mijë dollarë shpërblime për secilin nga dy të dyshuarit e tjerë.

Ata u akuzuan për blerjen e duhanit me gjethe për prodhuesit shtetërorë të cigareve të Koresë së Veriut dhe falsifikimin e dokumenteve për të mashtruar bankat amerikane në përpunimin e transaksioneve me vlerë 74 milionë dollarë. Prodhuesit koreano-veriorë, përfshirë një në pronësi të ushtrisë, fituan rreth 700 milionë dollarë falë këtyre marrëveshjeve.

Pheniani është përballur prej vitesh me raunde të shumta sanksionesh të ashpra në përgjigje të lëshimeve të raketave balistike dhe testeve bërthamore.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Kim që të vazhdojë të zhvillojë programin e armëve të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore