Vende

Britanikët zgjedhin Shqipërinë si sekret turistik – pak nga çdo gjë – për këdo


Në shkrimet e së shtunës të medias britanike “The Guardian” gjenden dhe arsyet për të vizituar Shqipërinë.

Përshkrim, eksperienca dhe sugjerime…

Shqipëria ka qenë në radarin e udhëtarëve të guximshëm me çanta shpine për disa kohë, por këtë vit operatorët turistikë parashikojnë se vendi i Ballkanit jugperëndimor do të jetë destinacioni kryesor i pushimeve për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ky pohim ka ardhur pas konfirmimit të rritjes së rezervimeve këtë janar.

Interesi në vend është rritur gradualisht gjatë dekadës së fundit, pasi vendi la pas diktaturën 44-vjeçare që përfundoi në 1985. Operatorët turistikë kanë parë një rritje të dukshme të rezervimeve për vitin 2022 ndërsa Shqipëria ka “rritur apelin e saj për t’u vizituar”.

“Nëse kërkon plazhe të bukura, peizazhe, kulturë dhe histori interesante me një çmim më të ulët se destinacionet fqinje, e gjeni në Shqipëri”.

Tine Murn, një bashkëthemelues i New Deal Europe, një agjenci marketingu për turizmin ballkanik është shprehur se “Shqipëria është një nga ato destinacione të vogla dhe të larmishme që mund të ofrojë pak nga gjithçka për këdo, ngjashëm me Malin e Zi apo Slloveninë.

Ai shtoi se Shqipëria është një “perlë e pazbuluar mesdhetare”.

Agjencia Kombëtare e Turizmit në Shqipëri e sheh Mbretërinë e Bashkuar si “një treg në zhvillim” dhe ka promovuar në mënyrë aktive turizmin vitet e fundit.

Përmirësimi i standardeve të akomodimit dhe rritja e shpenzimeve për infrastrukturën ka bërë që vendi të jetë më i lehtë për t’u vizituar.

Diaspora e madhe shqiptare në Mbretërisë së Bashkuar dhe emrat e njohur si futbollisti i Southampton, Armando Broja dhe yjet e popit Dua Lipa dhe Rita Ora, kanë ndihmuar më tej në ngritjen e profilit të vendit.

Dua Lipa

Fluturimet nga Britania e Madhe drejt kryeqytetit, Tiranë, janë gjithnjë e më të disponueshme dhe të kërkuara. Faqja e internetit e rezervimeve Skyscanner tha se kishte parë një rritje prej 48% të rezervimeve në Shqipëri krahasuar me vitin 2019, duke reflektuar interesin për “destinacionet më pak të njohura, të cilat tradicionalisht konsiderohen jashtë rrugëve të njohura”.

Elton Caushi, i cili drejton operatorin turistik “Albanian Trip” me bazë në Tiranë, bëri me dije se “kultura e vizitorëve” ishte e ndryshme.

“Tashmë, ata eksplorojnë me çanta shpine me vete”.

Zina Bencheikh, drejtoresha menaxhuese për Evropën në Intrepid Travel, tha se ka pasur një rritje të rezervimeve këtë vit, pjesërisht për shkak të faktit se Shqipëria “ofron aventura pa gjurmën e karbonit të një fluturimi të gjatë”.

Wild Frontiers, një nga operatorët e parë që nisi turne në Shqipëri, tha se kërkesat për udhëtimet e saj njëjavore me guidë – të vetmet që ofron nën 1 mijë paund– u rritën me 30% në janarin e kaluar.

“Shqipëria do të lulëzojë vitet e ardhshme”, tha themeluesi i saj, Jonny Bealby.

Ai shtoi se Shqipëria kishte bërë një rrugë të gjatë që nga koha e komunizmit.

Bealby e sheh Shqipërinë si pjesë të një vale të re destinacionesh, duke përfshirë Gjeorgjinë, Sllovakinë dhe Pakistanin, që po rriten në popullaritet dita ditës.

“Këto ishin vende me destinacione shumë të veçanta një dekadë më parë. Tani ato po bëhen më të zakonshme teksa njerëzit kërkojnë vende të çuditshme dhe të ndryshme për t’u larguar nga turmat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore