Lajme

Brenda një njësie të fshehtë ukrainase, “rusët na kthyen në vrasës”


Në ditën e parë të luftës, Sasha u zgjua nga zhurma e bombardimeve të orës 4 të mëngjesit.

Për çudi, ishte e njëjtë me kohën, kur Hitleri filloi pushtimin e tij të Bashkimit Sovjetik në vitin 1941.

Nga drejtimi i shpërthimeve, Sasha (jo emri i tij i vërtetë) mendoi se rusët mund të sulmonin aeroportin në Hostomel, disa kilometra larg banesës së tij, në qendër të Kievit.

Sasha vendosi të largonte gruan dhe dy djemtë e tij nga qyteti. Ata shkuan me familjen e kunatit të tij në kufi, ku kaluan në Poloni.

Ai vetë ishte një rezervist, pasi kishte kaluar një vit në ushtrinë ukrainase në shërbimin kombëtar në 2007-2008.

Pasi familja e tij ishte e sigurt, u kthye në Kiev për të luftuar.

“Nëse nuk do ta bëja, nuk mund t’i shikoja djemtë e mi në sy”.

Ne u takuam përmes një miku në një apartament në Lviv në Ukrainën Perëndimore.

Sasha kishte mbërritur me trenin e natës nga Kievi për të marrë një makinë për njësinë e tij.

“Ishte një ditë e qetë, me diell, e cila na përcolli një ndjenjë të çuditshme”, tha Sasha, pas granatimeve të vazhdueshme në Kiev.

Teksa po bisedonte me mua, ai përtypi një tabletë nga një paketë antiinflamatorësh.

“Kam pasur një dhimbje koke të tmerrshme, që nga dje. Pati shumë të shtëna”, ishin fjalët e tij.

Kur u bashkua me ushtrinë ukrainase pas pushtimit të Rusisë, Sasha mori një sërë veshjesh kamuflazhi, një kallashnikov me një stok druri dhe rrip i trashë pëlhure që përmban dy kapëse municionesh, tapa veshi, syze mbrojtëse plastike, një kapuç të zi, një thikë të lehtë dhe një paketë mjekësore me fasha presioni, qetësues kundër dhimbjeve, agjentë koagulues, antiseptik, shiringa dhe një tunik.

Atij iu dha gjithashtu një jelek i blinduar me pllaka çeliku përpara dhe mbrapa.

E pyeta nëse çeliku ishte më i mirë se qeramika.

Sasha tundi kokën dhe më tregoi një foto në telefonin e tij të një jeleku të ngjashëm me një vrimë plumbi.

“Nëse nuk do të luftoja, nuk mund t’i shikoja djemtë e mi në sy”

Njësia e Sashës prej 12 burrash përbëhet nga një përzierje ushtarësh të rregullt, rezervistësh dhe dy ish-anëtarë ukrainas të Legjionit të Huaj Francez.

Ai kishte njohur disa nga këta njerëz para luftës.

“Por ne të gjithë tani ia besojmë njëri-tjetrit jetën tonë”.

Secili ka specialitetin e tij: Sasha është snajperi. Ato duken si çdo njësi e zakonshme ukrainase, ndoshta një e caktuar për të ruajtur rrugët e furnizimit.

“Por askush nuk e di se çfarë bëjmë ne në të vërtetë”.

Çfarë po bën? – e pyeta unë dhe mora një përgjigje.

“Ne i vrasim njerëzit e këqij”, u përgjigj ai.

Sasha dukej krenar dhe i penduar.

Mua më dukej se ai duhej të thoshte me zë të lartë atë për ta besuar vërtet.

Jeta e tij ishte kthyer nga paqja në luftë kohët e fundit, aq shpejt dhe aq tërësisht sa nuk kishte kohë për të marrë frymë.

Ai është në fund të 30-ave, një baba që në kohë paqeje punonte si menaxher në një kompani ndërtimi.

Flokët e tij ishin të prera afër në një stil ushtarak, por sytë e tij blu ishin të mëdhenj dhe djalosharë, njëkohësisht të trishtuar, të sigurt dhe të frikësuar.

Herë pas here, një muskul i përkulej në faqe, teksa kafshonte pjesën e brendshme të buzës.

Ai ishte nga ata njerëz që, në jetën e zakonshme, ndoshta do të kishte një buzëqeshje gati për të gjithë dhe për çdo situatë.

Ishte e qartë se ai ishte nën stres dhe tashmë mund të shihte se lufta po e ndryshonte atë.

Sasha u ul drejt në karrigen e tij, me duart njëra mbi tjetrën, vendosur mbi prehrin e tij.

“Unë nuk kam pirë duhan para luftës”, tha ai, “e kam filluar vetëm dy javë më parë”.

Sasha shpjegoi se njësia e tij ishte përgjegjëse për gjetjen dhe përgjimin e diversantëve rusë, të cilët përpiqen të depërtojnë në linjat ukrainase.

Këto grupe mund të vendosin mina ose kurthe, të shënjojnë objektiva për artilerinë ruse, të vendosin kamera të fshehta dhe lloje të tjera të pajisjeve sinjalizuese, ose të sulmojnë postblloqet e Ukrainës për të pastruar një shteg për avancimin e trupave.

Orari i natës në Kiev është projektuar pjesërisht për ta bërë më të lehtë identifikimin e aktiviteteve të dyshimta, megjithëse në mënyrë të pashmangshme disa ukrainas të zakonshëm lëvizin pas errësirës.

“Sigurisht që nuk mund të qëllojmë në çdo makinë. Ne duhet t’i ndalojmë, të kontrollojmë dokumentet e tyre, të dëgjojmë shpjegimin e tyre. Nëse është një urgjencë mjekësore, ne mund t’i ndjekim ata në spital”.

Afrimi i makinave është i rrezikshëm.

Natën është e pamundur të pikasësh dikë, nëse është i fshehur në sedijen e pasme, ose nëse pasagjerët mbajnë armë, derisa të jeni pothuajse në distancë.

Gjuetarët e diversantëve e konsiderojnë një makinë të dyshimtë nëse ecën shumë ngadalë, në zigzage, ka më shumë se tre pasagjerë ose nëse shoferi ndez dritat e tij për patrullat e verbra të Ukrainës.

Kur njësia e tij ndalon një makinë, burrat bërtasin që të gjithë të ngrenë duart lart dhe të dalin jashtë.

Përveç kontrollit të dokumenteve, ata inspektojnë çizmet e mbulesën, dhe shikojnë brenda gropave të këmbëve.

“Ne flasim rusisht dhe ata flasin rusisht. Do të ishte më e lehtë nëse talebanët do të na kishin pushtuar”.

Është punë e tensionuar.

“Sabotatorët kamuflohen me veshje të zakonshme”, tha Sasha, “dhe është e vështirë të dallosh se kush është civil dhe kush është diversant”.

Ushtarët rusë dihet gjithashtu se kanë veshur uniforma të ushtrisë dhe policisë ukrainase.

Kohët e fundit, njësia e Sashës mori një paralajmërim se disa sabotatorë ishin femra.

Për t’iu kundërvënë kërcënimeve të tilla, ekziston një fjalëkalim për ushtrinë dhe policinë që ndryshon çdo ditë:

“Zakonisht diçka në gjuhën ukrainase që është e vështirë të shqiptohet nga rusët”.

Imazhet satelitore lejojnë forcat e armatosura të Ukrainës të shohin lëvizjet e armikut në kohë reale.

“Ne shohim gjithçka. Ne e dimë se ku janë dhe ku po shkojnë”, tha Sasha.

Njësia e tij zakonisht merr informacion për vendndodhjen e një grupi rus dhe dërgohet për ta kapur atë. Ndonjëherë ata vendosin një pritë.

Ata sigurojnë pozicionet e qitjes, rrugët e daljes së skautëve, dërgojnë një dron me kamera të shikimit të natës dhe më pas presin, ndonjëherë për dy ose tri orë.

Njësia nuk ka pësuar ende viktima.

“Ne punojmë shumë shpejt dhe jemi shumë të saktë”, tha Sasha.

Gjëja më e afërt me vdekjen ishte në operacionin e tij të parë.

Ishte errësirë ​​dhe, kur ai skanoi një zonë me syzet e tij të shikimit të natës, pikasi një snajper, pikërisht në buzë të një fushe.

Të gjithë u ulën për t’u mbuluar pas një makine, ndërsa u dëgjua një e shtënë e vetme.

Snajperi rezultoi se i përkiste një njësie tjetër ukrainase.

Një natë, njësia e Sashës mori informacion për një grup sabotatorësh në një makinë.

Ata e dinin targën, markën dhe ngjyrën, por nuk dinin se sa njerëz ishin në të.

Në një rrugë të shkretë mes dy fshatrave, ndaluan një automjet.

Brenda ishin tre burra në fund të 20-tave ose në fillim të të 30-tave.

Një pjesëtar i njësisë u afrua dhe pa një armë.

“Ai bërtiti. Ne hapëm zjarr dhe i vramë ata. Ata e dinin se kishin gjetur objektivin e duhur, sepse të gjithë burrat kishin armë dhe telefona me numra telefoni rusë. Policia dhe inteligjenca ushtarake ukrainase dolën për të marrë kufomat”.

Operacioni e preku thellë.

“Është e pamundur që të kthehem në gjendjen time normale të shëndetit mendor”, tha Sasha, duke shtuar se kurrë nuk kishte vrarë njerëz më parë.

Sasha nuk i ka thënë nënës së tij që po shërben në ushtri.

Ajo mendon se është ende i strehuar në shtëpi.

“Nuk dua ta shqetësoj. Unë dua që ajo të mund të flejë natën.

Ai flet me gruan e tij çdo ditë, megjithëse as ajo nuk e di saktësisht se çfarë bën ai.

Sasha ishte më i shqetësuar për sigurinë e familjes së tij, sesa për sigurinë e tij.

“Për mua personalisht, unë nuk kam frikë të vdes – të gjithë kanë fatin e tyre. Unë shoh fytyrat e tyre”, tha ai, duke folur për rusët që kishte vrarë në makinë.

“Unë i kam fytyrat e këtyre njerëzve para meje gjatë gjithë kohës”.

Në Kiev, Sasha qëndron me një mik nga njësia e tij, gruaja e të cilit gatuan për ta.

Ai ha mirë, por vetëm një herë në ditë.

Kur është atje, shikon lajmet dhe telefonon familjen.

Sasha ka dëgjuar histori të tmerrshme nga miqtë në njësitë e tjera – të tre grave të përdhunuara, të një makine civile të qëlluar me pesë pasagjerë brenda, trupat e tyre të zhveshur nga palltot e dimrit dhe më pas të hedhura në një kanal.

Kohët e fundit, Sasha ishte në Irpin, periferi e Kievit që qeveria ukrainase pretendon se e ka çliruar së fundmi pas disa javësh luftime të ashpra.

Njësia e tij ishte strehuar pas një muri betoni, ndërsa një breshëri raketash Grad, të cilat janë jashtëzakonisht të pasakta, goditën një zonë banimi.

Kur mbaroi bombardimi, rreth 120 gra dhe fëmijë dolën nga rrënojat, të trullosur dhe të çorientuar.

Të shurdhuar nga shpërthimet, ata nuk mund të dëgjonin atë që u thoshin ushtarët ukrainas.

Disave, thotë Sasha, u rridhte gjak nga plasja e daulleve të veshit.

Gratë i thanë se rusët i kishin premtuar se do t’i linin të largoheshin, por kur një grup familjesh u mblodhën, rusët qëlluan burrat, i mbyllën gratë dhe fëmijët në një bodrum dhe më pas u tërhoqën, ndërsa artileria e tyre goditi zonën.

Sasha mendon se lufta do të zgjasë “të paktën gjashtë muaj”.

“Ushtarët rusë janë zombi. Ata do të bëjnë gjithçka që u thotë Putin-i”, tha ai.

Rusët kanë ende armë dhe janë 150 milionë të tilla.

Ky është një raportim i Wendell Steavenson, e cila ka raportuar për Gjeorgjinë post-sovjetike, luftën në Irak dhe revolucionin egjiptian.

Marrë nga “The Economist”, përshtatur për Albanian Post! 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore