Bregoviç në Korçë, pjesëmarrja e ulët

SHFLETO
Vitjon Nina
22.08.2021 21:31
Loading Icons...

Korça është gati të presë në skenë këngëtarin boshnjak, Goran Bregoviç, në festën e përvitshme të Birrës, por pjesëmarrja e njerëzve në koncert nuk është ajo që pritej.

Ndërkohë që në rrugë zyrtare, nga biletaria e eventit u tha se kishte mbi 2 mijë bileta të shitura, pa përfshirë ftesat, nga raportimet e fundit për Albanian Post, mësohet se online janë shitur rreth 600 bileta dhe fizikisht vetëm 200.

Pra, një shifër më shumë se e përgjysmuar nga sa u deklarua.

Ashtu si shihet edhe nga fotografitë e sjella në redaksinë e Albanian Post, pjesa më e madhe e tavolinave janë gjysmë të mbushura.

Bregoviç është ngjitur në skenë rreth orës 22:00 dhe prania e publikut nuk ka ndryshuar. Nga pamjet filmike, mund të shihet se prania e shikuesve është më e pakët nga sa pritej.

Nga të dhënat që Albanian Post ka mbledhur gjatë gjithë ditës së sotme ndërkaq, një ndër arsyet – përtej debatit të madh që ka shkaktuar koncerti i Bregoviç në festën e Birrës – ka qenë edhe çmimi i biletave, i vendosur për hyrjen në ngjarjen kulturore të qytetit, vetëm daljen në skenë të artistit boshnjak.

Në katër ditët pararendëse, hyrja ka qenë e lirë për të shijuar koncertet e artistëve shqiptarë.

Pritet gjithsesi dalja e Bregoviç në skenë dhe si do të pritet ai nga publiku.

Policia kontrolle të dyfishta në Korçë

Nga ana e Policisë, janë ngritur disa postblloqe në pikat e hyrjes për në pjesën ku do të performojë Bregoviçi.

Linja e kontrollit të Policisë ndërkohë, është e ndarë në tre kordone. Një pjesë zihet nga siguria, një nga policia dhe një nga ndërhyrja e shpejtë.

Sende të tilla si çakmakët, çelësat apo sende të tjera të forta, nuk lejohen të kalojnë kordonin.

Më të irrituarat nga kjo situatë momentalisht janë gratë dhe vajzat, kontrollet në çantat e të cilave janë të imta.