Lajme

Bredhat, Santa Claus dhe çorapet: Si festohen Krishtlindjet anembanë botës


Bredhat vezullues, Santa Claus dhe çorapet janë pjesë e festimeve të Krishtlindjes për shumë njerëz. Por festa merr perspektiva të ndryshme në mbarë globin.

Nga Evropa në Azi deri në thellësitë e Antarktidës, ja se si festohen Krishtlindjet në nëntë vende – dhe një vend që sillet rreth e qark botës.

Kroacia

Festimet e Krishtlindjeve në Kroaci fillojnë herët, me disa tradita që marrin shkas që në muajin nëntor.

Ashtu si evropianët e tjerë, kroatët gjithashtu festojnë Ditën e Shën Nikollës në fillim të dhjetorit.

Fëmijët lënë jashtë këpucët e tyre, duke pritur që Shën Nikolla t’u lërë atyre karamele dhe dhurata të vogla.

Shumë familje në Kroaci mbjellin grurë më 13 dhjetor me besimin se viti i ardhshëm do të jetë i begatë për ta.

Suedia

Suedezët dekorojnë pemët e Krishtlindjeve dhe shkëmbejnë dhurata, traditë e ngjashme me vendet e tjera të botës.

Ata festojnë edhe me filmin e animuar Donald Duck.

Vitin e kaluar, më shumë se 4.5 milionë njerëz – pothuajse gjysma e popullsisë së Suedisë – ndoqën edicionin special të Disney-t të vitit 1958 “From All Us to All of You”.

Kjo, sipas rrjetit evropian të lajmeve në gjuhën angleze, The Local.

Shfaqja është transmetuar në vendin nordik çdo vit që nga viti ’59.

Ushqimet e njohura gjatë kësaj periudhe të vitit janë qoftet, proshuta, salmoni i tymosur ose i marinuar, turshitë dhe një tavë me patate dhe açuge të ashtuquajtur “Tundimi i Jansson-it”.

Indi

Krishtlindja është një festë kombëtare në Indi. Kjo, pavarësisht se vetëm 2.4% e popullsisë janë të krishterë, sipas Qendrës Kërkimore Pew.

Shfaqjet dhe festimet e Santa Claus në shkolla janë të zakonshme në të gjithë vendin.

Krishtlindja është një festë mjaft e rëndësishme për familjet indiane.

Dhe arsyet lidhen me mbledhjet e rralla familjare.

Dy pjata të njohura të Krishtlindjeve janë kheer, një lloj pudingu i ëmbël me qumësht dhe kallappam, një petull kokosi dhe orizi që është pjatë e zonës jugore së Indisë.

Japonia

Për shumicën në Japoni, Krishtlindjet janë një moment laik, sesa fetar.

Shumë japonezë e festojnë festën njësoj si Ditën e Shën Valentinit, me çifte që kalojnë ditën së bashku.

Është e zakonshme që njerëzit të shkojnë në takimet e darkës dhe të shëtisin duke parë dritat e Krishtlindjeve me partnerët e tyre.

Një nga traditat më të diskutuara – të paktën jashtë Japonisë – është magjepsja e kulturës me pulën e skuqur për Krishtlindje, shpesh nga zinxhiri i ushqimit të shpejtë në Shtetet e Bashkuara.

Një fushatë marketingu festash e vitit 1974 e quajtur “Kentucky Christmas” nisi një praktikë që tani festohet nga miliona japonezë.

Porositë paraprake për vaktet fillojnë rreth shtatë javë përpara.

Filipinet

Rreth 92% e 110 milionë banorëve të Filipineve janë të krishterë.

Krishtlindja është koha më e rëndësishme e vitit në Filipine dhe thuhet se vendi e feston festën më gjatë se kudo tjetër – nga shtatori në janar.

Ashtu si shumë kultura latine, familjet filipineze kremtojnë Nochebuena (Nata e mirë), e cila është një festë e madhe në natën e Krishtlindjes.

Festa përfshin mbledhjen me familjen dhe ndarjen e dhuratave.

Një traditë tjetër e rëndësishme është Simbang Gabi, që do të thotë “mesha e mesnatës”.

Njerëzit zgjohen para se të agojë për të marrë pjesë në meshë.

Kjo e fundit zgjat nëntë ditë nga data 16 deri më 24 dhjetor. Besohet se ata që i plotësojnë të nëntë ditët mund të kërkojnë një bekim.

Emiratet e Bashkuara Arabe

Megjithëse feja zyrtare shtetërore e Emirateve të Bashkuara Arabe është Islami, Krishtlindjet festohen në disa pjesë të vendit.

Kjo dëshmohet më së shumti në Emiratet e Abu Dhabit dhe Dubai, ku banojnë një numër i madh i emigrantëve.

Qendrat dhe hotelet shpesh dekorohen me pemë të Krishtlindjeve që shtrihen në shumë kate.

Tregjet e Krishtlindjeve, shfaqjet dhe menutë e veçanta të festave në restorante janë gjithashtu të zakonshme gjatë dhjetorit.

Meksika

Krishtlindjet në Meksikë shënjohen me parada të mëdha me nota dhe kostume shumëngjyrëshe, pinjata të mbushura me karamele dhe skena të lindjes së Krishtit.

Por një nga zakonet më të njohura të vendit është Las Posadas, një festë gjatë nëntë ditëve që çojnë në Krishtlindje.

Çdo natë, njerëzit formojnë një procesion këndimi që ka për qëllim të përfaqësojë udhëtimin e Marisë dhe Jozefit në Betlehem.

Ato procesione zakonisht kulmojnë në shtëpinë e dikujt, ku të gjithë mblidhen për një festë me ushqime të tilla si tamales apo karamele.

Ushqime të tjera të njohura të Krishtlindjeve përfshijnë pozole-t, pjata të skuqura me brumë të ëmbël të quajtur bunuelos dhe një pije me çokollatë të nxehtë të quajtur champurrado.

Kenia

Krishtlindja është një kohë migrimi për shumë njerëz në Kenia.

Qytetet, duke përfshirë kryeqytetin e Nairobi-t, përjetojnë një eksod në dhjetor.

Kjo, ndërsa një mori njerëzish udhëtojnë në vendlindjet dhe fshatrat e tyre për t’u ribashkuar me familjet e tyre.

Shumica e kishave mbajnë një vigjilje nate në prag të Krishtlindjes, ku njerëzit këndojnë këngë dhe himne për orë të tëra.

Në ditën e Krishtlindjes, familjet dhe miqtë kanë një festë e cila shpesh përfshin mish dhie ose qengj të pjekur në skarë të quajtur nyama choma.

Antarktida

Aktualisht, Poli i Jugut është shtëpia e 70 stacioneve kërkimore të përhershme që përfaqësojnë 29 vende të ndryshme.

Duke qenë se mungon rrëmuja e zakonshme e Krishtlindjeve, stacionet gjejnë mënyra krijuese për të festuar mes kolegëve.

“Secili nga pesë stacionet tona kërkimore në Antarktidë feston Krishtlindjet në mënyrën e vet, në varësi të motit”, tha Kathleen Maclean, një përfaqësuese e Anketimit Britanik të Antarktidës.

Pavarësisht festimeve, kërkimi vazhdon pasi “duhet të mblidhen ende të dhënat e monitorimit afatgjatë”, tha Maclean.

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës

Fryma e Krishtlindjes edhe në mbi 420 kilometra nga Toka.

Sipas faqes së internetit të NASA-s, astronautët në bordin e Qendrës Ndërkombëtare të Hapësirës kanë festuar Krishtlindjet, Hanukah dhe Vitin e Ri për 21 vitet e fundit.

Festimet në stacionin e hapësirës përfshijnë dekorimin e stacionit, shijimin e versioneve të qeseve plastike të ushqimeve tradicionale.

Përfshirë gjeldetin, salcën e boronicës së kuqe, puren e patateve apo biskotat, si dhe filmimi i videove të urimeve të festave që dërgohen në tokë.

Krishtlindja gjithashtu vjen dy herë në Stacionin Hapësinor pasi bie më 7 janar në kalendarin ortodoks rus, të cilin e ndjekin shumë astronautë rusë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore