Lajme

Brazil/ Shtohet numri i të vdekurve nga përmbytjet, mijëra të tjerë zhvendosen


Në Brazil, qeveria ka njoftuar se mbi 100 njerëz janë zhdukur ose janë konfirmuar të vdekur.

E gjitha pasi rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet e mëdha të shkaktuara nga shirat e dendur kanë vërshuar në disa lagje urbane në pjesën verilindore të vendit.

Brenda pesë muajve, kjo shënon ngjarjen e katërt e madhe të përmbytjeve, duke theksuar mungesën e planifikimit urban në lagjet me të ardhura të ulëta në pjesën më të madhe të Brazilit.

Atje, banesat janë ndërtuar shpesh në shpatet e kodrave të prirura për t’u shembur.

Po ashtu situata vjen pasi shkencëtarët kanë nisur të vënë në dyshim nëse ciklet jonormale të shiut në kombin më të madh të Amerikës Latine mund të jenë rezultat i ndryshimit të klimës.

56 persona, prej të dielës pasdite, kishin ndërruar jetë në shtetin verilindor Pernambuco dhe një në shtetin fqinj të Alagoas, sipas Shërbimit Federal të Mbrojtjes Civile,

Autoriteti është përgjegjës për menaxhimin e emergjencave.

Sakaq, ai ka bërë të ditur se 56 persona të tjerë në Pernambuco rezultonin të zhdukur.

Mbi gjashtë mijë njerëz, midis dy shteteve, kishin mbërritur në pikat e ndihmës të përcaktuara nga qeveria dhe më shumë se shtatë mijë po qëndronin me miqtë ose të afërmit.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka thënë se do të mbërrinte në Recife, kryeqyteti i goditur rëndë, të hënën në mëngjes.

“Qeveria jonë vuri në dispozicion që në fillim të gjitha mjetet, përfshirë forcat e armatosura, për të ndihmuar ata që janë prekur”, ka pohuar ai.

Në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit, dhjetëra u vranë dhe dhjetëra mijëra u zhvendosën kur shirat goditën shtetin Bahia, i vendosur në Brazilin verilindor.

Në janar, të paktën 18 persona humbën jetën nga përmbytjet në shtetin juglindor Sao Paulo.

Në shkurt, shirat e rrëmbyeshëm në shtetin e Rio de Janeiro vranë mbi 230 persona.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore