Lajme

BQE-ja pritet të rrisë normat për të frenuar inflacionin


Banka Qendrore Evropiane të enjten e 4 majit, pritet të rrisë tre normat bazë të interesit me 25 pikë bazë.

Kjo është bërë e ditur nga shërbimi për shtyp i BQE-së, transmeton agjencia “AFP”.

Rrjedhimisht, norma e interesit për operacionet kryesore të rifinancimit dhe normat e interesit për linjën e huadhënies marxhinale dhe atë të depozitave do të rriten përkatësisht në 3.75 për qind, 4.00 për qind dhe 3.25 për qind, nga data 10 maj 2023.

Rregullatori beson se inflacioni në zonën e euros do të jetë shumë i lartë për një kohë të gjatë dhe synon të marrë vendime të mëtejshme bazuar në të dhënat e ardhura dhe vlerësimet e inflacionit.

Banka Qendrore Evropiane theksoi se, në të njëjtën kohë, këto vendime do të mbajnë normat në një nivel mjaft kufizues për të kthyer inflacionin në nivelin e synuar prej 2 për qind.

“Treguesi kryesor i inflacionit ka qenë në rënie muajt e fundit, por presionet themelore të çmimeve mbeten të forta. Rritjet e fundit të normës kanë një ndikim të rëndësishëm në kushtet monetare dhe financuese në eurozonë, ndërsa shpejtësia dhe shtrirja e ndikimit në sektorin real të ekonomisë mbetet e paqartë”, shtoi banka qendrore.

BQE planifikon gjithashtu të ndalojë ri-investimin e të ardhurave nga maturimi i obligacioneve si pjesë e programit të saj të blerjes së aktiveve (APP) në korrik të këtij viti.

Deri në fund të qershorit, banka qendrore do të ulë volumin e aktiveve në bilanc me 15 miliardë euro në muaj.

Rezerva Federale e SHBA-ve rriti normat e interesit me një çerek pikë përqindjeje – Kryetari i Fed Jerome Powell la të kuptohet se kjo mund të jetë rritja e fundit përpara një pauze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore