Muzikë

Bota rozë e diskografisë shqiptare për vitin 2021


Viti që lamë pas, ndonëse në vete nisi me izolim social nga pandemia, ai asesi nuk ishte e izoluar për nga prodhimi artistik.

Artisti është dikush që realiteti s’i bën tamam, andaj edhe sheh ta tejkalojë atë – qoftë përmes formave argëtuese, qoftë atyre protestuese. Por gjithmonë, në të shprehurin e kreativitetin njerëzor.

Mbase më së miri këtë gjë e përkufizon filozofi gjerman, Friedrich Nietzsche, i cili pati thënë se “asnjë artist nuk e toleron realitetin. Ai skulpton realitetin e tij”.

Prandaj, një vit i rëndë që me vete kishte realitetin e pandemisë, kundërpërgjigja e tejkalimit të saj ishte arti, kultura, showbizi dhe e gjithë industria e argëtimit.

Një kongllomeratë ngjarjesh dhe krijimesh, karakterizuan sidomos skenën muzikore, qoftë për nga dramaticiteti, si ajo e arrestimit të Fjolla Morinës, qoftë për nga indinjata, si ajo koncertit të Goran Bregoviçit.

Ky vit, mbase për nga kushtëzimet pandemike të lirisë, jetës së natës, koncerteve dhe klubeve, bëri që artistët t’i kthehen prodhimeve “diskografike” të regjistrimit të albumeve të plota.

Karakteri i të bërit muzikë ka kohë që ka ndërruar, dhe këngët prodhohen individualisht si sollo regjistrime.

Andaj edhe rikthimi i albumit si platformë këngësh, që përbëjnë një kontekst të bashkërenduar muzikor, është rijetësim i saj.

Më ikonikët e skenës muzikore shqiptare si Elvana Gjata, Dafina Zeqiri, Yll Limani, Arilena Ara dhe Kida, sollën albumet e tyre, të cilët shikuar në interval kohor 1 vjeçar, përbën një vit jo të zakonshëm muzikal.

Por t’i vendosim ato në kronologji, sipas rrjedhës së tyre kontingjente, që në fakt është edhe pasqyra e harmonisë kaotike të kulturës në përgjithësi.

Arrestimi i Fjolla Morinës

Fjolla Morina – ishte pa dyshim mes emrash më të diskutuar në mediat rozë përgjatë vitit që lamë pas. Dhe jo për ndonjë projekt muzikor, por për ngjarjet nga jeta personale.

Historia e arrestimit, e cila nisi që në shtatorin e vitit 2020, vazhdoi të pushtojë kryetitujt edhe në vitin pasues dhe e gjitha erdhi si rezultat i rëndimit të akuzave për trafikim të armëve dhe municion.

Fotografi e shkrepur gjatë xhirimeve të video klipit “Gangsta” të Fjolla Morinës.

Pasi Fjolla Morina ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet shqiptare, ajo ishte arrestuar përsëri në korrikun e këtij viti nga Policia e Kosovës.

Por, ajo që vodhi vëmendje po aq sa arrestimi ishte edhe mënyra se si ylli i hitit “Trileqe” e ka shijuar periudhën e “arratisë”.

Gjatë kohës “në liri”, Fjolla, jo vetëm që ka shëtitur në vende si, Belgjika e Dubai, por madje ajo vizitoi edhe ishujt Maldive bashkë me parnterin e vet, Fisnik Sylën.

Dyshja, Fjolla dhe Fisniku, nuk shkuan të bëjnë një pushim të zakonshëm luksoz, por atje kishin shkuar për të përfunduar një mision të shenjtë – kurorëzimin e dashurisë.

Fjolla Morina dhe Fisnik Syla.

Me një ceremoni modeste të organizuar nga autoritet lokale të ishullit ata i thanë njëri-tjetrit “Po”, ndërkohë që fotografitë nga dita e dasmës bënë bujën e tyre.

Gjithsesi, pas arrestimit e më pas lirimit, Morina dhe Syla, i hoqën fotografitë e tyre nga rrjetet sociale, kështu filloi edhe përhapja e thashethemeve për një ndarje të mundshme të çiftit duke vazhduar me ritëm të njëjtë për muaj të tërë.

Por, së fundmi, Fisniku, me anë të një komenti pikant nga Fisniku në postimin e Fjollës në llogarinë e saj të Instagramit, duke i hedhur poshtë aludimet se dyshja kanë prishur marrëdhënien e tyre.

Në imazhet e publikuara, Fjolla, ishte paraqtur me një dukje pothuajse identike si të modeles, Kim Kardashian, e ku kishte shkruar se – “Qeshtu duhet me ju ndreq burrit premte t’premten”, komenti i Fisnikut morri vëmëndjen.

Fjolla Morina – Kim Kardashian.

“Se kanë krejt ket fat o shpirt”, pati shkruar bashkëshorti i Fjollës.

Gjithsesi, as pas kësaj “drame virtuale”, Fjolla nuk e ka kjartësuar për publikun raportin e saj aktual me Fisnikun.

Viti 2021 duket të ketë rënduar shumë jo vetëm shëndetin e këngëtares, por edhe të fëmijëvë të saj – pasi që në disa intervista të dhëna për mediumet shqiptare, Fjolla, kishte treguar se vajzat e veta e kishin përjetuar keq situtën e krijuar.

Pas të gjithë këtyre, Fjollës i urojmë që viti që lamë pas t’i ketë marrë sfidat me vete dhe tash e tutje të shijojë ditë të bardha, me pozitivtet, lumturi e shëndet!

Koncerti i Goran Bregoviçit në Korqë

Në trojet shqipfolëse mund të ketë pasur njerëz që nuk e kanë dëgjuar kurrë për egzistencën e këtij artisti – Goran Bregoviç – por, tani?

E vështirë të gjesh dikë që nuk e ka mësuar emrin e këtij artisti, nacionaliteti i të cilit mbetet si pikëpyetje, disa e njohin për boshnjak, disa të tjerë për kroat – dhe një mazhorancë si serb – reputacioni i tij tek shqiptarët, u rrit pasi u përzgjodh si performues i vitit 2021 në Festivalin e Birrës së Korçës.

Goran Bregovic.

Në fakt, Goran mund edhe të mos jetë serb, por karriera e tij artistike përfshin këngë frymëzuese për luftën e serbëve në Ballkan dhe intervista të tij të shumta përfshijnë shpalosje mendimesh dhe përkrahje masive për politikën serbe dhe atë ruse.

Madje, këto intervista në sy iu patën rënë edhe shteteve të largta nga Kosova, të tilla si: Ukraina e Polonia – pasi që këto dy të fundit i kishin anuluar koncertet e këngëtarit, Goran Bregoviq, për shkak të përkrahjes që ai kishte shprehur për pushtimin e Krimesë së Ukrainës nga Rusia.

Dhe, jo vetëm!

Në vitin 2012, në një intervistë të dhënë për një medium beogradas, Bregoviç, e kishte quajtur “cigane” (fjalë nënçmuese për komunitetin rom), shqiptaren me origjinë nga Prizreni dhe të lindur në Shkup – Nënën Terezën e Kalkutës.

Ndërkohë, artistë të shumtë nga Kosova dhanë dorëheqjen e tyre menjëherë pas kumtimit të lajmit se Goran Bregoviç do të performonte në të njëjtën skenë me ta.

Lista e artistëve që u tërhoqen nga festivali në fjalë përfshinte: Dafina Zeqirin, Capital T dhe Dren Abazim – ndërkohë që koncerti i yllit serb u protestua edhe nga artistë, të tillë si: Noizy, Stresi, Besa Kokëdhima, Vesa Luma e plot të tjerë.

Vetëm një artist nga Kosova pranoi përfundimisht të interpretonte në skenën e Festivalit të Birrës në Korçë – bëhet fjalë për vokalistin e grupit “Ilirët”, Shemsi Krasniqin.

Goran Bregovic.

Madje, Krasniqi, jo vetëm që pranoi të bëhej pjesë e atij evenimenti, por më vonë në shumë intervista, nuk ka hezituar ta shprehë publikisht admirimin e tij për Goran Bregoviçin, ndërsa i ka kritikuar ashpër të gjithë ata që e kundërshtuan një performancë të tillë.

Pjesëmarrja e Goran Bregoviç, u kundërshtua edhe nga vetë shqiptarët e Shqipërisë, të cilët shprehen revoltën e tyre duke mbishkruar posterët e tij me “1999”, vit që i referohet luftës së fundit të zhvilluar në Kosovë.

Gjithsesi, as biografia pro serbo-ruse, as tërheqja e artistëve kosovarë e as kundërshtimi i popullatës nuk e ndaloi artistin, Bregoviç, të vinte në mes të Korqës dhe të interpretonte këngët e tij. Mes tyre edhe hitin e shumë perfolur “Kallashnikov”.

Goran Bregovic.

Por, suksesi i tij ishte kontrasti i pakënaqësisë së ngritur nga shqiptarët – vendi ku do të mbahej performanca nuk u mbush me njerëz dhe edhe shumë prej tyre që gjendeshin aty, pohuan se kishin shkuar pa e ditur se do të dëgjonin muzikë serbe.

Përfundoi edhe ajo natë e bujshme dhe neve na mbetet të presim dhe të shohim se si do të na surprizojë, Festivali i Birrës në Korçë gjatë vitit 2022. Pas Bregoviç, një anëtar i familjes famëkeqe, Raznatoviç? Artistja ultranacionaliste, Ceca? Urojmë që jo!

Beteja për hitin e vitit 2021

Periudha e pandemisë dhe penalizimi nga mbajtja e koncerteve e mbrëmjeve muzikore duket të pasur ndikim të madh tek artistët e estradës shqiptare – kësisoj, pas lirimit të masave shtrënguese anti COVID-19, projektet publikoheshin pa rreshtur.

Pos tjerash, viti 2021 na prezantoi me bashkëpunime që rezultuan super te suksesshme.

Projekti muzikor, “ E di x Marre” nga artistët, Elvana Gjata dhe Yll Limani u pëlqye shumë nga publiku.

I njëjti shënon afro 30 milionë klikime në YouTube, ndërsa ka rezervuar kritikat më pozitive në të gjitha platformat e publikimit.

Bashkimi i forcave në mes të Dafina Zeqirit, Cricket dhe Muma – ishte sukses në vete, ndërkohë që kënga e tyre “Pa Ty”, arriti te shikohej afro 50 milionë herë në YouTube.

Bashkëpunime pati edhe mes artistëve të Kosovës, me ata të Shqipërisë – ju kujtohet një nga hitet e vitit që lamë pas “Mi Amore”?

Kënga “Mi Amore” të cilën e publikuan dyshja e famshme, Dhurata Dora dhe Noizy, shënoi sukses që në minutat e parë të publikimit, ndërsa poashtu është mes këngësh më të klikuara të vitit – aktualisht numëron 60 milionë klikime në YouTube.

Por, kënga që bëri bujë më së shumti nga diskografia shqiptare, ishte paryshim bashkëpunimi në mes të rep artistit, Ledri Vula, këngëtares, Kida dhe artistit tjetër, Butrint Imeri.

Treshja, të cilët publikuan këngën “Dale”, shënuan numër rekord klikimesh – kësisoj duke arritur shifrën prej afro 80 milionë klikimesh në YouTube.

Trendi i publikimit të albumeve

Artistët e estradës shqiptare duket të kishin reflektuar shumë gjatë periudhës me pandemi, dhe shumica u rikthyen fuqishëm duke publikuar edhe albume.

Këngëtarja nga Shqipëria, Elvana Gjata, pati publikuar albumin “Çelu” që ishte një lloj buqete me nota shpirti.

Albumi përmban shtatë këngë që përfshijnë kryesisht zhanret baladë dhe tinguj me frymëzim nga muzika e vjetër qytetare e kulturës shqiptare.

Kopertina e albumit – “Çelu” nga Elvana Gjata.

“Drandofilat”, “Mos u ngut”, “Jeta ime”, “Kur jemi dasht”, “A po vjen” dhe “Kunadhe”, janë disa prej këngësh të “Çelu”.

Edhe albumi “Lshoja Zanin” – të cilin e publikoi artisti nga Kosova, Ylli Limani, ishte një produkt që shpejt u përqafua nga publiku.

Kopertina e albumit “Lshoja Zanin” nga Ylli Limani.

Këngët si “Qaj”, “Gënjeshtare” e “Çka nëse” u bënë hite në një interval të shkurtër kohor, ndërsa u dëgjuan e u klikuan me miliona herë.

Këngëtarja e njohur me origjinë nga Shkodra, Arilena Ara, po ashtu e kishe publikuar albumin e saj “Pop Art”.

Kopertina e albumit “Pop Art” nga Arilena Ara.

Projekti muzikor, i cili Arilenës i kishte marrë një kohë goxha të gjatë për tu realizuar e më pastaj për tu publikuar, përmban gjithsej 12 këngë, brenda të cilave bëjnë pjesë edhe pesë bashkëpunime.

“Obsession”, “Mam”, “Stafeta”, “Thirr policinë” e “Aligator” janë vetëm disa prej këngëve të “Pop Art”.

Mes albumesh që bëri bujë gjithandej me suksesin e arritur ishte edhe “Dafinë Moj” nga Dafina Zeqiri.

Albumi, i cili Dafinën e solli më të veçantë se kurrë më parë, u mirëprit nga fansat e shumtë të artistes.

Kopertina e albumit “Dafinë Moj” nga Dafina Zeqiri.

“Dafinë Moj”, numëron gjithsej 14 këngë, ndër të cilat edhe “Karma”, “Vet e lype”, “Mos e lëndo”, “Ti dho krejt”, “Murder on the dancefloor” e “Pasha Dafinën”.

Madje, ky album, riktheu në skenë pas disa kohësh pauzë, këngëtaren shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Altuna Sejdi – Tuna.

Dafina e Tuna u bënë bashkë për incizimin e këngës “Sunny Hill” – 11 vjet më vonë që prej kur kishin publikuar hitin e tyre të dikurshëm “Vibe” me 2po2.

Listës së artistëve që publikuan albume gjatë vitit 2021, iu shtua së fundmi edhe këngëtarja, Kida.

Kida – frymëzuar nga vetë emri i saj i vërtetë –  Orhidea Latifi, ka publikuar albumin e titulluar “Orchide”.

Kopertina e albumit “Orchide” nga Kida.

“Orchide” përmban gjithsej 12 këngë, disa prej të cilave janë: “Maniak”, “Jo mo”, “Mia”, “Special” e “Pse”.

Ndonëse është akoma në fazën e fillimit, albumi i porsapublikuar i Kidës është mirëpritur po ashtu nga fansat e saj, ndërkohë që edhe ka pranuar kritika pozitive për tekstet e veçanta dhe interpretimin profesional.

Këto ishin disa nga ngjarjet më voluminoze të botës rozë në diskografinë shqiptare për vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore