Libra

“Bota më e mirë e mundshme”


Pikturë që përshkruan tërmetin e madh të Lisbonës të vitit 1755

“Kandidi ose Optimizmi”, satira më interesante e filozofit më të madh francez Volterit, është rrugëtimi më aventuroz dhe më tallës në kërkim të urtisë.

Kandidi, përmes përqeshjes së formave tradicionale, ngrihet mbi lëkundjet e fatit për të dëshmuar veten të denjë dhe për ta nënshkruar veten si protagonisti i rrëfimit.

Një tregim vetë-edukues dhe vetëzhvillues. Kandidi, në fakt, është parodi. Aty i riu naiv përmbledh të gjithë maturinë e munguar gjatë rrugëtimit të tij të gjatë e me shumë peripeci.

Siç shpjegon vetë emri i tij, Kandidi është një djalosh i thjeshtë dhe naiv, i rritur në kështjellën e mrekullueshme të Vestfalisë. Ai, fillimisht, udhëhiqet nga dy pasione: dashuria për Kunegundën dhe admirimi përtej çdo proporcioni për mësuesin e tij Panglosin.

Panglosi di të shpjegojë gjithçka që ndodh, përtej dukjeve, pse ndodhin gjërat “për të mirën e mundshme”.

“Është gjë që mund të dëshmohet, tha ai, se gjërat s’mund të jenë ndryshe nga ç’janë; sepse (…) të gjitha janë të domosdoshme për përfundimin më të mirë të mundshëm. Vështroni, hunda është krijuar për të mbajtur syzet – prandaj mbajmë syze. Këmbët janë të bëra në atë mënyrë që të mund të veshim çorape – prandaj veshim çorape (…) Derrkucët janë krijuar që t’i hamë – për atë arsye hamë mish tërë vitin. Prandaj, të gjithë ata që thonë gjithçka është mirë, thonë budallallëqe, do të duhej të thoshin: gjithçka është për më të mirën”.

Përmes figurës së Panglosit, Volteri në fakt është duke e satirizuar filozofin gjerman, Lajbnicin, dhe filozofin anglez Popin.

Kandidi ose Optimizmi, Volteri

Këta dy filozofë njihen si mbrojtës të pozicioneve teorike që, në historinë e filozofisë dhe religjionit, njihet si Teodise, ideja që një Zot i Përsosur këtë botë e ka krijuar si “Botën më të Mirë të Mundshme”.

Prandaj, këta dy filozofë konsideronin se ne njerëzit, duke qenë të kufizuar në mendjet dhe përvojat tona individuale, ngjarjet që i shohim në botë i shohim vetëm përmes përvojave tona të kufizuara, dhe nuk mund të gjykojmë të mirën më të mirë të mundshme në pikturën e përgjithshme të universit.

Tragjeditë si pandemitë, tërmetet, masakrat, cunamit, të gjitha këto fatkeqësi fatale, sipas këtyre filozofëve, megjithatë futen në një botë që është më e mira e mundshme, sepse Zoti, duke qenë i Përsosur, s’mund të ketë krijuar një botë që nuk është “Bota më e Mirë e Mundshme”.

Prandaj Volteri satirizon me këta dy ngushëllues të së keqes dhe optimistë të rrejshëm të së mirës, të cilët ai i konsideron absurdë, dhe me mjeshtërinë e tij të shkronjave, ai i rrëzon përmes trajektoreve të ngjarjeve, duke performuar atë që në filozofi dhe letërsi e njohim si argument “reductio ad absurdum”, që do të thotë reduktim deri në absurditet.

Volteri, personazhin e tij Kandidin, e shpie nëpërmes krejt këtyre tragjedive për të ilustruar argumentin e tij, përmes të gjithë të Keqes, Luftës, Lakmisë, Koprracisë, Kotësisë dhe Kolonializmit (me shkronja të mëdha sepse autori i diskuton në nivel të ideve filozofike).

Kandidi ia mbath nga lufta, dhunimet dhe fanatizmi në Bullgari e Holandë, dhe arrin në Londër, pikërisht në kohë për një tërmet të madh. Aty ai shpallet heretik dhe do ta ekzekutojnë, gjë të cilës gjithashtu i largohet.

Ai pastaj shkon të shpëtojë Kunegundën prej përfaqësuesve lakmitarë të dy feve të mëdha, Krishterimit dhe Hebraizmit.

Të dashuruarit arratisen për në Amerikë, dhe në Buenos Aires, por sundimtari spanjoll ia merr Kandidit të dashurën për grua. Kandidi pastaj, me shërbëtorin e tij Kakambon, janë të detyruar që të ikin përmes aventurave edhe më të përgjakshme.

Pasazhi kur Kandidi e refuzon Toedisenë e mësuesit të tij Panglosit, se gjithçka është për më të mirën e mundshme, është kur takojnë një skllav afrikan të gjymtuar, padronët e të cilët janë tregtarë holandezë në Surinam.

“Po zotëri, tha ai, është zakon (…) kur punojmë në kallamishte, dhe mulliri të prek gishtin, ata të këpusin dorën; dhe kur duam t’ia mbathim, ata të presin këmbën; të dyja rastet më kanë ndodhur. Ky është çmimi që paguajmë për të ngrënë sheqer në Evropë”.

 

Kandidi dhe Kakambo takojnë skllavin afrikan të gjymtuar

E kësaj Evrope, Kandidi, tashmë i zhveshur nga të gjitha iluzionet dhe krejtësisht i çmagjepsur, i kthehet përsëri.

Ai ribashkohet me Panglosin, i cili ende mirëmban optimizëm të plotë, përkundër se ka qenë skllavëruar, torturuar, gjymtuar, dhe ende pohon se “unë jam filozof, s’mund të pendohem nga fjalët e mia”.

“Në këtë botë që është më e mira botë e mundshme ekziston një lidhje në varg mes ngjarjeve: po të mos kishin dëbuar nga kështjella e mrekullueshme për shkak të dashurisë tënde ndaj Kunegundës; po të mos kishin futur në inkiuzicion; po të mos kishe ecur mes për mes Amerikës (…) po të mos i kishe humbur të gjitha delet nga vendi i mirë i El Dorados; nuk do të ishte këtu me mua duke ngrënë këto limona dhe fisteka e arra”, i thotë Panglosi Kandidit.

“Krejt kjo është gjë e mirë, iu përgjigj Kandidi, por tash le të kultivojmë kopshtin”.

Me këtë fjali përfundon vepra madhështore e Volterit ‘Kandidi ose Optimizmi’, ku më hiqet dorë nga kërkimi i esencave të përjetshme metafizike e përtej kësaj bote, dhe kthehet në punët e këtu-për-këtushme, në kultivimin e kopshtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore