Lajme

Bota ‘e papërgatitur’ për të ndaluar përmbysjen e progresit në shëndetësi prej krizës klimatike


Kriza klimatike kërcënon të kthejë pas dekada të tëra progresi drejt shëndetit më të mirë dhe qeveritë nuk janë të përgatitura për ta ndaluar.

Kështu ka thënë Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

Tre të katërtat e agjencive kombëtare të motit dërgojnë të dhëna klimatike te zyrtarët shëndetësorë të vendit të tyre.

Por më pak se një në katër Ministri të Shëndetësisë përdorin informacionin për të mbrojtur njerëzit nga rreziqet si nxehtësia ekstreme.

“Ndryshimi i klimës është një kërcënim i paprecedentë për shëndetin e njeriut”, ka thënë Madeleine Thomson, kryetarja e ndikimeve klimatike në Wellcome, një organizatë bamirëse që financon kërkimet shëndetësore.

“Shumë vende tashmë duhet të përballen me pasojat e rrezikshme të temperaturave rekord. Megjithatë shumica janë të përgatitur keq”, ka shtuar ajo.

Raporti në fjalë ka zbuluar se pavarësisht nga moti i nxehtë që vret më shumë njerëz se çdo lloj tjetër moti ekstrem, ekspertët shëndetësorë kishin akses në shërbimet e paralajmërimit të nxehtësisë vetëm në gjysmën e vendeve të prekura.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se valët e të nxehtit do të bëhen edhe më të nxehta dhe më të gjata për shkak të krizës klimatike.

Bota tashmë është ngrohur me 1.2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

Megjithatë, temperaturat rekord të këtij viti i kanë lënë shkencëtarët të habitur.

Petteri Taalas, sekretari i përgjithshëm i WMO, ka thënë se “praktikisht i gjithë planeti ka përjetuar valë të nxehti këtë vit”.

“Fillimi i El Niño në vitin 2023 do të rrisë shumë gjasat për të thyer më tej rekordet e temperaturës, duke shkaktuar më shumë nxehtësi ekstreme në shumë pjesë të botës dhe në oqean – dhe duke e bërë sfidën edhe më të madhe”, ka theksuar ai.

Raporti ka kritikuar mungesën e investimeve në kujdesin shëndetësor ndërsa planeti nxehet.

Vetëm 0.2 për qind e huave dhe granteve të dhëna për projektet e përshtatjes klimatike shkuan në skema që identifikuan shëndetin si fokusin kryesor, zbuluan autorët.

“Kjo e lë sektorin shëndetësor të papërgatitur për të mbrojtur më të cenuarit”, dallon raporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore