Bosi siçilian u arrestua, por cilët janë të arratisurit e tjerë madhorë për drejtësinë italiane?

SHFLETO
Rajmonda Basha
16.01.2023 11:16
Loading Icons...

Me arrestimin e Matteo Messina Denaro, bosin e Castelvetrano-s në kërkim prej 30 vitesh, kapet një prej  dhjetë të “kërkuarve” më të rrezikshëm në botë.

Ministria e Brendshme italiane përditëson vazhdimisht listën e kriminelëve në kërkim. Ja emrat e disa prej personave më të kërkuar.

Attilio Cubeddu, “i burgosuri model”

Attilio Cubeddu i përket grupit mafioz “Anonima sarda”, në Sardenjë. Gjurmët e tij u zhdukën në vitin 1997. I arrestuar dhe i dënuar për një sërë  rrëmbime pengjesh, ai arriti të përfitojë nga lejet e shpërblimit falë sjelljes së tij të mirë në burg.

Në vitin 1997, në fakt, ai nuk do kthehej më në burgun Badu e’ Carrus në Nuoro të Sardenjës. Ndërsa ishte në arrati, mori pjesë në rrëmbimin e industrialistit nga Brescia,  Giuseppe Soffiantini, për të cilin u dënua në mungesë me 30 vjet.

Giovanni Motisi dhe vrasja e Dalla Chiesa

Giovanni Motisi, një emër më pak i njohur për publikun, por i konsideruar një nga kriminelët më të rrezikshëm.

Hetimet e konsideruan atë njeriun më të fuqishëm të mafias në Palermo, i dyti në hierarki pas Messina Denaro. Duhet të vuajë burgim të përjetshëm akuzën  për masakër dhe organizatë mafioze. Të penduarit e tregojnë, ndër të tjera, si një nga organizatorët e vrasjes së gjeneralit Carlo Alberto Dalla Chiesa.

Është i shpallur në kërkim që nga viti 1998 dhe ka gjithashtu urdhër arresti evropian.

Njeriu i ‘Ndrangheta-s në Romë

Përditësimi më i fundit (nëntor 2021) i listës së Ministrisë së Brendëshme të të arratisurve përfshinte Pasquale Bonavota-n, bosin e ‘Ndrangheta-s të Catanzaro-s dhe tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm. Ai u zhduk në vitin 2018, por jo përpara se të zgjeronte pushtetin dhe investimet e tij në Romë. Bonavota është themeluesi i “klubit” të parë kalabrez në kryeqytetin italian.

Junzo Okudaria, japonezi nga Napoli

I kërkuar si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Itali është një terrorist misterioz japonez. Junzo Okudaria, i përket Ushtrisë së Kuqe Japoneze. Ai akuzohet për sulmin në ambasadën franceze në Hagë (1974) dhe për makinën bombë përpara klubit të NATO-s në Napoli (1988), episod për të cilin u dënua në mungesë nga drejtësia amerikane. Okudaria nuk ka bërë asnjë ditë burg.

Brigadistët që jetojnë lirisht

Të flasësh për fshehje, në rastin e Alessio Casimirri, është jo e drejtë. Ish-anëtar i kolonës romane të Brigadave të Kuqe, Casimirri u dënua me burgim të përjetshëm për pjesëmarrjen në vrasjen e Aldo Moros dhe truprojve të e tij. Terroristi është në kërkim, por vendbanimi i tij aktual dihet.

Ai jeton në Nikaragua, ku drejton një restorant, por shteti i Amerikës së Jugut e ka refuzuar gjithmonë ekstradimin në Itali. Korrikun e kaluar edhe Parlamenti Evropian kërkoi dorëzimin e Casimirri-t pranë autoriteteve italiane, por më kot. Një situatë e ngjashme ka të bëjë me Alvaro Loiacono, bashkëpunëtor i Casimirri-t, i cili jeton në Zvicër me një emër të ri.

Ekziston edhe një listë e zezë evropiane

Ekziston edhe një “listë e zezë” evropiane e kriminelëve më të kërkuar në Kontinentin e Vjetër, në krye të së cilës gjejmë Matteo Messina Denaro-n.

Pas tij emri i parë është i irlandezit James Miachael Kelly. I akuzuar për trafik droge dhe rrëmbim, ai dyshohet se vrau një rival pas pesë ditësh torture.

Gruaja më e kërkuar në Evropë është përkundrazi një nigeriane, Jessica Edosomwan. Në Francë ajo konsiderohet numri një në trafikimin e qenieve njerëzore, veçanërisht të prostitutave të reja.

Një shpërblim prej 80 mijë euro rëndon mbi kokën e Burkhard Garweg, një gjerman, i kërkuar që nga viti 1999 për sulme ndaj fugonëve të blinduar.

Më në fund, Karin Ouali, kontrollor fluturimi në Basel u zhduk në vitin 2002 pasi vrau një koleg me sëpatë.