Kosova

Borrelli përgëzon Lajçakun për postin e ri në Zvicër


Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, nëpërmjet një postimi në platformën”X” të enjten, përgëzoi diplomatin sllovak, Mirosllav Lajçak, i cili do të emërohet ambasador i BE-së në Zvicër në kuadër të rotacionit të madh vjeshtor.

Lajçak, i cili aktualisht mban pozitën e Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-sSerbi, do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bernë, më 1 shtator. E shefi i diplomacisë evropiane përgësoi ambasadoret e rinj të BE-së, duke thënë se pret që ata t’i promovojnë vlerat evropiane.

“Unë i përgëzoj të nominuarit. Ata do të mbajnë përgjegjësinë për të promovuar interesat dhe vlerat e BE-së në mbarë botën”, shkroi Borrelli të enjten, derisa shpërndau listën e emrave të ambasadorëve dhe të të dërguarve të posaçëm nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Ende nuk ekziston ndonjë emër i pasardhësit të Lajçakut në rolin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ndonëse javët e fundit u përmend emri i ish-presidentit slloven, Borut Pahor, si kandidat i mundshëm për të marrë përsipër procesin e dialogut.

Për emërimin e ndërmjetësit të ri, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë verës, ndërsa blloku përgatit poste të reja diplomatike në prag të zgjedhjeve evropiane – cikli i ri elektoral për ulëset e Parlamentit Evropian (PE) në qershor pritet të ndikojë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, ambasadori aktual i Estonisë në BE, Avio Orav, pritet ta zëvendosojë shefin aktual të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Sonyong, mandati i të cilit përfundon së shpejti. Orav më herët shërbeu si ambasador i BE-së në Mal të Zi dhe shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore