Kosova

Borrelli flet me Kurtin e Vuçiçin, dënon sërish agresionin qyqar ndaj Policisë së Kosovës


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka biseduar të dielen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke e dënuar edhe më ashpër sulmin e tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës nga një grup terrorist prej rreth 30 personave.

Në një njoftimin e lëshuar nga BE-ja thuhet se kryediplomati evropian “dënoi me termat më të ashpër agresionin” në bisedën e tij me dy liderët ballkanikë, ndërsa gjithashtu, sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ku për pasojë ka mbetur i vdekur një zyrtar policor dhe dy të tjerë të plagosur, nga BE-ja është cilësuar “sulm i tmershëm terrorist dhe frikacak”.

Shefi i diplomacisë të 27 shteteve anëtare të BE-së ka përsëritur thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe t’i lirojnë pelegrinët në Manastirin e Banjskës, ndërsa ka shtuar se qetësia dhe stabiliteti duhet të rivendoset menjëherë.

Kryediplomati evropian ka dënuar edhe më herët sulmin e bandave të armatosura në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe – ndaj Policisë së Kosovës, ku ndër të tjera ka kërkuar që autorët përgjegjës të përballen me drejtësinë.

“Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik nga vijimësia e akteve armiqësore rreth Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, ka shtuar kryediplomati evripian në një komunikatë për media, derisa ka bërë thirrje që palët e angazhuara në terren të punojnë drej de-përshkallëzimin e situatës në veriun e Kosovës.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë futur brenda Manastirit të Banjskës në Zveçan merr vesh Albanian Post, derisa dhjetëra persona janë kapur nga ekipet policore, porse ende nuk dihet nëse janë të gjithë anëtarë të grupit terrorist që ka sulmuar Policinë e Kosovës të dielen, duke lënë të vdekur një zyrtar policor.

Policia e Kosovës aktualisht është duke kryer procesin e identifikimit të personave brenda Manastirit të Banjskës, ngase siç është bërë e ditur edhe nga autoritetet kosovare, disa prej personave që kanë qenë brenda janë pelegrinë ortodoksë  e të tjerë dyshohet se janë persona që kanë bashkëpunuar me kryesit e sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore