Borrelli do t’ia lërë kryediplomatit të ardhshëm të BE-së caktimin e emisarit të ri për dialogun Kosovë-Serbi

SHFLETO

Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak

 

Armat Matoshi
23.06.2024 11:28
Loading Icons...

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, synon t’ia lërë në dorë kryediplomatit të ardhshëm evropian zgjedhjen e emisarit të ri për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht nën udhëheqjen e diplomatit sllovak, Mirosllav Lajçak, i cili pritet të vazhdojë karrierën diplomatike në një pozitë tjetër.

Kjo është arsyeja pse Borrelli vendosi t’ia zgjasë mandatin Lajçakut, i cili është dashur ta fillojë mandatin e ri si ambasador i BE-së në Zvicër më 1 shtator 2024, deri në janar të vitit 2025, shpjegoi një zyrtar i lartë i BE-së për agjencinë sllovene të lajmeve, duke qenë se shefi i diplomacisë evropiane është përgjegjës për procesin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë.

Lexo edhe këtë: Frymëmarrja e Kosovës lehtësohet nëse Kaja Kallas vjen në krye të diplomacisë së BE-së

Përkundër spekulimeve në korridoret diplomatike se kush do të jetë pasardhësi i Lajçakut në këtë pozitë, akoma nuk ekziston ndonjë emër zyrtar për rolin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë, në fillim të prillit, ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, u shpreh i gatshëm për të marrë përsipër procesin e dialogut.

E në mesin e kandidatëve potencialë për pozitën e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, në bazë të burimeve jo zyrtare diplomatike, përveç ish-presidentit dhe kryeministrit slloven, janë edhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, dhe diplomati danez, Peter Sorensen, të cilët kanë përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Për emërimin e ndërmjetësit të ri në dialog, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë vjeshtës, kur edhe do të emërohet pasardhësi i Borrellit. Kosova dhe Serbia arritën një “marrëveshje historike” për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve gjatë mandatit të Borrellit e Lajçakut, por akoma nuk kanë arritur t’i bindin palët që të fillojnë zbatimin e së njëjtës.

Lajçaku në detyrë deri në janar 2025: Pak perspektivë për progres në dialog