Kosova

Borrell: Vuçiçi më garantoi se serbët do marrin pjesë në zgjedhje


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimit të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të enjten, ka njoftuar se ka marrë garanci nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të banuara me serbë etnikë.

Nga salla e konferencave në Bruksel, shefi i diplomacisë evropiane ka thënë se mënyra më e shpejtë dhe efikase për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veriun e Kosovës – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – është dorëheqja vullnetare e kryetarëve shqiptarë. Sa i përket rrugës së Qeverisë së Kosovës që përmes një peticioni t’u hapet rruga rizgjedhjeve atje, ai ka thënë se është proces tepër i pasgurt.

“BE-ja e sheh rrugë më të shpejtë e më efikase dorëheqjen e kryetarëve që janë zgjedhur me vetëm 3 për qind, në mënyrë që të mundësohen zgjedhjet e reja. Procedura tjetër e largimit nëpërmjet peticionit është tepër e gjatë dhe e pasigurt. Serbët e Kosovës po ashtu duhet të tregohen kontruktivë e të angazhohen pa kushte në procesin elektoral. Duhet të marrin pjesë në zgjedhje. E mirëpres garancinë që mora nga presidenti Vuçiç”.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në Qeverinë e Kosovës ka publikuar Udhëzimin Administrativ me të cilin serbëve lokalë u mundësohet që me një peticion të largojnë kryetarët nga zyra –  Ilir Peci, Erden Atiq, Lulzim Hetemi dhe Izmir Zeqiri. Aty parashihet që inicimi i shkarkimit të kryetarit të komunës duhet të bëhet me anë të një peticioni nga së paku 20 për qind të votuesve me të drejtë vote në Kosovë.

Megjithatë, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, inciativa konsiderohet se ka dështuar dhe se ajo mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh – një proces që edhe ashtu nuk është vlerësuar me nota pozitive nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare. Gjithashtu, nuk është e akoma e qartë nëse serbët e Kosovës do t’i përgjigjen kësaj iniciative që po shihet me dyshim nga faktorët ndërkombëtar.

Borrell: Kurti s’ka qenë i gatshëm për kompromis, kërkonte njohje de-facto para Asociacionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore