Kosova

Borrell: Samiti synon të krijojë lidhje të ngushta në mes të BE-së dhe Ballkani Perëndimor


Josep Borrell

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka folur për samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në të cilin Kosova do të përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani.

Ky Samit, sipas tij, është i rëndësishëm dhe synon të krijojë lidhje më të ngushta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi është një investim gjeo-strategjik në paqe, siguri dhe prosperitet”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Konkluzionet e Këshillit të Ministrave

Ndryshe një ditë para takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me ata të BE-së, ministrat e vendeve anëtare të Unionit, miratuan pakon e zgjerimit dhe konkluzat, ku në pjesën për Kosovën dhe Serbinë theksohej se detyrimet e dala nga Marrëveshja Bazë do përfshihen në proceset evropiane të dy vendeve.

Kjo nënkupton që në rastin e Kosovës do përditësohet agjenda e Grupit të veçantë të Kosovës për normalizim, ndërsa në rastin e Serbisë detyrimet do përfshihen në negociatat e anëtarësimit mes Brukselit e Beogradit.

Ndër të tjera në konkluzat e miratuara nga ana e Këshillit të Ministrave u kërkua nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet e dialogut të lehtësuara nga BE-ja, pa parakushte dhe pa vonesa, duke u shprehur keqardhja se nga asnjëra palë nuk ka pasur gatishmëri deri më tash për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara.

“Kërkojmë nga Kosova që në tërësi dhe pa vonesa të tjera t’i zbatojë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këshilli e mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe të Serbisë për ta pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së me kuptimin se punë e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhej në tekstin e konkluzave.

Hapësirë e veçantë në konkluza u kushtua edhe situatës së sigurisë në Veri.

Në këtë kontekst Këshilli dënoi ashpër sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, ndaj organeve të rendit dhe mediave në protestën e 29 majit të këtij viti.

Nga Kosova dhe Serbia u kërkua që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse.

Këshilli në konkluzat rikujtoi sërish se dështimi në de-përshkallëzim do të ketë pasoja duke konfirmuar gjithashtu gatishmëria e BE-së për të vendosur masa shtesë ndaj Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo është e nevojshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore