Lajme

Borrell njofton për takimin e radhës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit


Josep Borrell

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter ka njoftuar se ai personalisht ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një takim më 18 gusht në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërmjetësuesi i këtij takimi do të jetë vetë Borrell.

“Kam ftuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin më 18 gusht në Bruksel, për të diskutuar rrugën përpara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka shkruar Borrell.

Takimin në fjalë pati njoftuar edhe Zëdhënësi kryesor i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, Stano pati treguar se takimi është thirrur për 18 gusht, fiks një muaj pas datës origjinale të takimit.

Ky takim vjen pas tensioneve të së dielës mbrëma, kur Kosova provoi të aplikoi reciprocitet me Serbinë sa u përket targave dhe hyrje/daljeve të shtetasve serbë, por që u tërhoq me kërkesë të ndërkombëtarëve, duke pranuar propozimin e Borell për një muaj shtyrje të vendimit.

Takimi i fundit i Kurtit dhe Vuçiç-it kishte ndodhur në darkën jo formale me 5 maj në Berlin dhe ishte bërë i ditur për media përmes një fotografie, ku bashkë me Lajçak kishin darkuar në një rezidencë shtetërore të Gjermanisë.

Takimi pati ndodhur pasi paraprakisht Kurti e Vuçiç veç e veç ishin takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Darka jo-formale ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it, nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak

Çka pritet të diskutohet në takimin e 18 gushtit në Bruksel?

BE insiston që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por nuk ka mundësi “të detyrojë” Kosovën për ta bërë atë, thuhet në një përgjigje për N1 nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell.

“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet ta përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë pa asnjë vonesë”.

“Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet në pritje, si dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme domethënëse për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve, e cila është kyçe në rrugën e tyre evropiane”, tha Borell në një përgjigje me shkrim.

Përveç Asociacionit, në përgigjen e Borell kërkohet edhe implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e pretenduara nga Manastiri i Deçanit. Edhe për këtë, zbatimi kërkohet “pa asnjë vonesë”.

“BE-ja i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, duke përfshirë të drejtat dhe liritë fetare të komuniteteve pakicë dhe monitoron me kujdes të gjitha zhvillimet në këto zona në Kosovë”, shtoi Borell.

BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se nuk kanë mekanizma për t’i “detyruar” dy palët që të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara, por vetëm për t’ua kujtuar atë dhe se në përputhje me përmbushjen e obligimeve, Kosova dhe Serbia do të përparojnë në rrugën drejt BE-së.

Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme ndërmjet dy palëve mbetet një kusht i pandryshuar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore