Kosova

Borrell: Marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen


Josep Borrell

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është shprehur i lumtur për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Sipas diplomatit spanjoll marrëveshja, të cilën e ka cilësuar si të arsyeshme, ka qenë vështirë e arritshme.

“Ne kemi punuar që nga gushti për të arritur marrëveshjen. Ishim vërtet në prag të arritjes së saj të hënën, por e njëjta nuk ndodhi”, ka thënë Borrell në një konferencë për media në forumin rajonal të Unionit për Mesdheun (UfM).

Me pajtimin e të dyja palëve për marrëveshjen për targat sipas Borrell është hapur edhe rruga për marrëveshjen finale.

“Në ditët e ardhshme unë do të kontaktojë përsëri liderët e Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar kështu diskutimin rreth procesit të normalizimit. Duhet të kemi një zgjidhje të përhershme për problemin që ekziston në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.

Diplomati spanjoll gjithashtu ka bërë thirrje palëve që të zbatojnë marrëveshjet paraprake të dala nga dialogu përfshirë edhe Asociaiconin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova dhe Serbia, përkatësisht kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç kanë nënshkruar marrëveshje në Bruksel për de-eskalim ku Kosova heqë dorë nga zbatimi i masave për veturat me targa ilegale, derisa Serbia zotohet se nuk do të prodhojë më të reja.

Sipas marrëveshjes së arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, pra nuk do ketë gjoba dhe as konfiskime, ndërsa Serbia do të ndalojë lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

Ndryshe, siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, BE-ja kishte ofruar një propozim i cili kërkonte nga Serbia që të mos lëshojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.

Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore