Lajme

Borrell lëvdon Vuçiç-in për fjalimin pas takimit me “pesëshen diplomatike”


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, të martën ka zhvilluar një takim në Bruksel me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, njoftoi Shërbimi i Jashtëm i BE-së.

Gjatë takimit të tyre, siç thuhet në komunikatë, Borrell e ka vlerësuar fjalimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, drejtuar popullit serb të hënën në mbrëmje mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe planin franko-gjerman, ku ka treguar tri dënimet që e presin Serbinë nëse nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën.

“Ai e ka vlerësuar pozitivisht paraqitjen publike të Presidentit Vuçiç dje për këtë çështje”, thuhet në komunikatë ndërsa shtohet se diplomati spanjoll nënvizoi rëndësinë që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e ndërmarra në kuadër të dialogut, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Josep Borrell dhe Ivica Daçiç

Gjithashtu, në këtë kontekst, siç vazhdon tutje komunikata, kryediplomati evropian përsëriti nevojën për të kapërcyer menaxhimin e përhershëm të krizës dhe për këtë arsye tha se priste angazhim konstruktiv në propozimin e fundit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Edhe emisari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin serb të premten, pati një vlerësim të ngjashëm për Vuçiç-in ku para gazetarëve deklaroi se ka pasur një takim “intensiv dhe të hapur” ndërsa shtoi se ky i fundit tregoi vullnet për vendime të vështira.

Ndryshe, në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjetjen e një rruge drejt një “marrëveshjeje finale”, në Prishtinë dhe në Beograd më 20 janar zbarkuan një ushtri diplomatësh.

Miroslav Lajçak nga BE-ja, Gabriel Escobar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jens Plotner nga Gjermania, Emmanuel Bonne nga Franca dhe Francesco Talo nga Italia takuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Vuçiç-in, jo më për të prezantuar përmbajtjen, por përfundimisht për të kërkuar përgjigjen dhe për të vazhduar tutje.

Emisarët perëndimorë erdhën me pritje konkrete, largohen pa përgjigje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore