Borrell: Kosova s’ishte e gatshme për takim trelateral, Kurti paraqiti tri kushte

SHFLETO

Josep Borrell

 

Dini Fetahu
26.06.2024 19:21
Loading Icons...

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, derisa ka bërë të ditur se kreu i ekzekutivit kosovar ka paraqitur tri kushte.

Këto komente, Borrell i ka bërë në një konferencë për media nga Brukseli, pas takimeve të ndara që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiç-in.

“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot”, tha Borrel, derisa tregoi edhe tri kushtet e Kurtit.

“E para, formalizmi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radojiçiç-it dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tregoi Borrell kushtet e Kurtit.

Për mospërmbushjen e asaj për çka vetë janë zotuar, Borrell, ka thënë se të dyja palët janë përgjegjëse.

“Asnjë hap nuk është ndërmarrë për themelimin e Asociacionit… Nuk duhet harruar që procesi i normalizimit përparon shpejt nëse të dy palët dakordohen. Ne dhe SHBA-ja nuk mund ta duam më shumë normalizimin e marrëdhënieve sesa Kosova dhe Serbia”, potencoi.

Sa i përket diskutimeve që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiç, kryediplomatit evropian nuk i ka rezultuar asgjë jashtë pritshmërive: “të vështira si gjithmonë”.

Ndryshe, ndonëse ishte paralajmëruar, të mërkurën nuk është mbajtur takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi i fundit mes Kurtit e Vuçiç-it, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim.