Kosova

Borrell kërkon që Kosova të largojë policinë nga ndërtesat e komunave në Veri


Josep Borrell

Josep Borrell, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, në një konferencë për media së bashku me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë operacionet e Policisë rreth ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për uljen e tensioneve.

Ai kërkoi gjithashtu që protestat e dhunshme të serbëve lokal në Veri të ndalen.

“BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në Veri të Kosovës. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell.

Diplomati spanjoll ka bërë të ditur se në mëngjesin e së ditës së martë, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke kërkuar nga të dyja palët që urgjentisht të marrin masa për uljen e tensioneve në mënyrë të menjëhershme dhe pa kushte duke shmangur kështu çdo veprim të njëanshëm.

Borrell gjithashtu ka bërë të ditur se Charles Fries, nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Përbashkët, Politikën dhe Reagimin ndaj Krizave në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, ka udhëtuar në Kosovë për të informuar personalisht Borrellin me informacionet e dorës së  parë për situatën në Kosovë.

Borrell: Po kërkojmë një takim urgjent në mes të Kurtit dhe Vuçiç’it  

Bashkimi Evropian po punon për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme në Veri të Kosovës dhe për të garantuar sigurinë në këtë pjesë të vendit, prandaj Borrell, në këtë konferencë për media me presidentin malazez, ka bërë të ditur se po kërkon të organizojë një takim urgjent të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Po punoj që të organizoj një takim urgjent të nivelit të lartë. Shpresoj se zëri im do dëgjohet. Blloku evropian pret që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog dhe të hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ne kemi aktualisht një luftë në Evropë dhe nuk mund ta pranojmë edhe një konflikt tjetër”, ka thënë Borrell.

Tensionet në Veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji.

Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj të katër komunave veriore.

Ata po tentojnë të ndalojnë hyrjen e kryetarëve të sapozgjedhur në objektet komunale.

Të njëjtit po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu, pasi këta të fundit po asistojnë kryetarët e rinj për të hyrë në ndërtesat komunale.

Ndërsa më 29 maj, në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili ka shtuar prezencën në Veri, pas tensionimit të situatës. Si rezultat 41 pjesëtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore