Lajme

Borrell: Ju kam bërë thirrje Kurtit e Vuçiç-it të takohen sa më shpejt


Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, para takimit me shefat e shteteve apo qeverive të Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se do t’i informojë liderët për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për atë se çfarë është zhvilluar së fundi.

“Sot, gjëja e parë që do të bëj është t’i informoj liderët për situatën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Beogradit”, deklaroi Borrell.

“Propozimi është në tryezë. Unë i kam bërë thirrje dy liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të kthehen në Bruksel së shpejti, pas disa javësh në mënyrë që të shtyjnë patjetër këtë propozim”.

Sipas tij, kjo çështje ka kaluar nga kriza në krizë, ndërsa tani është koha për të iu shmangur ndonjë përshkallëzimi të mundshëm dhe duhet punuar “në mënyrë konstruktive”.

“Dhe unë do t’u kërkoj liderëve një mbështetje të fortë për të shmangur çdo lloj përshkallëzimi, dhe do t’u kërkoj që të punojnë seriozisht në këtë propozim, që është e vetmja mënyrë për të provuar zgjidhjen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë vetë të ditur në një shkrim në Twitter pas një takimi pune me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak se “ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti shtoi se ky propozim i duket “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të lëvizur përpara”.

Kurti thotë që e pranon propozimin e Bashkimit Evropian – i cili nuk e ka njohjen në qendër

Kurti prejse është bërë kryeministër ka deklaruar se nuk pranon asnjë marrëveshje që nuk e ka “njohjen reciproke në qendër”, duke nënkuptuar kështu se nuk vë nënshkrim në asnjë dokument ku Serbia nuk pranon Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Në deklarime të mëhershme ai e ka potencuar se propozimi evropian, i njohur më shumë si propozimi franko-gjerman, është bazë e mirë për bisedime, por në këtë status pas takimit me Lajçak-un është hera e parë që e ka shkruar “se e pranojmë propozimin”.

Por, propozimi franko-gjerman nuk e ka njohjen në qendër, madje njohjen formale nuk e ka as në skaje.

Në versionin e fundit të rrjedhur në publik të këtij propozimi që zyrtarisht nuk është prezantuar asnjëherë, nenet as nuk iu referohen Kosovës e Serbisë si shtete, por vetëm si “palë”.

Nga nenet më të rëndësishme të këtij propozimi është neni 2 ku thuhet se “të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

S’ka më “Kosova dhe Serbia” por vetëm “palët” – si ndryshoi propozimi franko-gjerman nga drafti i parë te i fundit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore