Kosova

Borrell do t’i njoftojë ministrat e jashtëm të BE-së për dialgoun mes Kosovës dhe Serbisë


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se në New York sonte do të mbajnë një takim joformal me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së të cilët do t’i njoftojë për takimin e 14 shtatorit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

“Do të njoftojë ministrat për takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë, mes Kosovës dhe Serbisë, të shpjegojë se çfarë ndodhi dhe të shikojmë për zhvillimet e ardhshme në dialog”, ka thënë Borrell.

 

Ndërkaq më më 14 shtator, Borrell pati njoftuar se kryeministri Kurti nuk e kishte pranuar propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e kishte pranuar.

Më pas, Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kryeministri Kurti kishte theksuar se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.

Ndërsa Kurti gjatë një konference për media të hënën është shprehur i bindur se Miroslav Lajçak jo veç që punon në favor të Serbisë, por ai edhe fsheh gjëra nga Bashkimi Evropian.

“Nuk e di sa e ka ditur, jo Bashkimi Evropian dhe qeveritë më të fuqishme të BE-së, por sa e ka ditur vetë Borrell që Serbia nuk bën propozime. Në një moment kur unë i them Vuçiç-it cili është propozimi juaj, edhe Borrell i thotë cili është propozimi? Pastaj Lajçak tha ‘jo jo e ka dhënë më herët’. Pastaj na sollën një dokument që është më i vjetër që gjashtë muaj”.

Albin Kurti

Kurti, tha se ka njoftuar  shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-të për njëanshmërinë e Lajçakut.

Refuzimi i qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri të Kosovës – e tensionuar që nga 26 maji – kishte bërë që BE-ja të vendos masa ndëshkuese si në aspektin politik dhe në atë ekonomik.

BE-ja, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte propozuar një plan të de-esklaimit, mirëpo i njëjti nuk pranohej nga Kosova, dhe kjo çoi që Unioni të shqyrtojë masa ndëshkuese ndaj Prishtinës.

Qeveria e Albin Kurtit do ta pranonte planin e de-eskalimit vetëm pasi që ndaj Kosovës – për herë të parë në histori – ishin vendosur masa ndëshkuese.

Kosova, ndër të tjera, kishte pranuar që ta reduktonte praninë e njësiteve policore në dhe pranë objekteve komunale të komunave Veriore, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas atyre të 23 prillit të cilat ishin bojkotuar nga serbët lokalë.

Përkundër pranimit të këtij plani, ndaj Kosovës ende nuk janë larguar masat ndëshkuese, pasi që po kërkohen veprime shtesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore