Lajme

Borrell: Diskutimet me Kurtin e Vuçiçin në Mynih përfunduan pa sukses


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, nëpërmjet një njoftimi të botuar në faqen e internetit të Shërbimit për Veprim të Jashtëm (EEAS) të dielën, derisa përmblodhi rezultatet e “angazhimit diplomatik” përgjatë javës së kaluar, tha se diskutimet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë rezultuan të pasuksesshme.

Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë (MSC), kryediplomati evropian takoi ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për t’i zbutur tensionet e krijuara pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit, por që bisedimet “fatkeqësisht” ishin të pasuksesshme.

BE-ja ftoi Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim që parashihet të zhvillohet më 27 shkurt në Bruksel të Belgjikës. Ftesa u bë pas takimeve që shefi i diplomacisë evropiane zhvilloi me kryeministrin kosovar dhe presidentin serb në margjinat e MSC-së javën e kaluar – një ngjarje që mbledh rreth vetes liderë, diplomatë e personalitete botërore.

Por deri tani, pjesëmarrjen në takimin për dinarin, nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht asnjëra nga palët. Megjithatë, dy ditë para takimit të paraparë në kryeqendren evropiane që pritet t’i kushtohet ekskluzivisht rregullores së BQK-së mbi operacionet me para ta gatshme në vend, mediat serbe raportuan se kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, do shkojë në Bruksel.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherë shef i ekipit negociator, refuzoi ftesën e BE-së për të negoicuar për çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe për më tepër, akuzoi Emisarin Special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, për shkelje të parimeve, posaçërisht mbi caktimin e një takimi pa pajtim me Qeverinë e Kosovës.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

BQK-ja njoftoi se rregullorja e re do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj. Ndërkaq, nga ekzekutivi kosovar potencuan se së shpejti do të hartojnë një listë prej dhjetë masash sa u përket mënyrave se si qytetarët e komunitetit serb që përbën shumicën në pjesën veriore të mos dëmtohen gjatë fazës kalimtare të zbatimit të vendimit.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo do të arrihet një kompromis në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova u thotë “Jo” negociatave politike për dinarin serb – Serbia e çon Petkoviçin te Lajçaku në Bruksel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore