Lajme

Borrell: BE-ja mirëpret vendimet e Kosovës dhe Serbisë që t’i njohin targat e veturave të njëra-tjetrës


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka mirëpritur vendimet e Kosovës dhe Serbisë për t’i njohur targat e veturave të njëra-tjetrës dhe për ta shfuqizuar tërësisht regjimin e letrave ngjitëse.

“BE-ja mirëpret vendimet e Kosovës dhe Serbisë që formalisht t’i njohin targat e veturave të njëra-tjetrës dhe plotësisht ta shfuqizojnë regjimin e letrave ngjitëse. Vendimi është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të zotimeve të kaluara nga Dialogu të lidhura me lirinë e lëvizjes”, tha Borrell në një deklaratë për media.

Kjo dakordancë për targa, sipas Borrellit, dëshmon se është e mundur arritja e përparimit në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe thekson rëndësinë e vazhdimisht të punës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Kjo po ashtu përbën një hap në drejtimin e duhur drejt integrimit më të mirë rajonal dhe Evropian të Ballkanit Perëndimor, nga çfarë përfundimisht përfitojnë qytetarët e rajonit”, ka shtuar Borrell.

Më 4 janar, Qeveria e Kosovës, vendosi për heqjen e letrave ngjitëse mbi targat e Serbisë, gjatë qarkullimit të tyre në territorin e Kosovës. Po ashtu edhe automjetet me targa RKS, që nga 1 janari, qarkullojnë pa letra ngjitëse në territorin e Serbisë, me vendimin e qeverisë së saj.

Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen për targat në vitin 2011. Por, ajo nuk ishte zbatuar. Në vitin 2021, çështja e targave nxiti tensione në Veri, tensione të cilat u përshkallëzuan në dy vjetet pasuese. Konvertimi i targave në shumë raste kishte dërguar edhe në djegien e makinave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore