Shqipëria

Bordi i Transparencës cakton çmimim tavan të shitjes së sheqerit, rritet me 10 lekë


Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të ushqimeve bazë për subjektet që tregtojnë me shumicë dhe pakicë.

Ajo vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.

Duke nisur nga sot për artikullin sheqer (1 kg) miratohet: a. marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të sheqerit nga importuesi dhe ambalazhuesi është 15 lekë/kg (6 lekë/kg për importuesin dhe 9 lekë/kg për ambalazhuesin) mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë.

b. Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas germës “a” të këtij paragrafi.

c. Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit sheqer është 3  lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas germës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.

Sipas Bordit çmimi tavan në njësitë e tregtimit me pakicë i sheqerit do të jetë 114 lekë/kg.

Me vendimin e kësaj dite çmimi i sheqerit është rritur me 10 lekë.

Në njoftimin e tij Bordi theksoi se ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktin e përcaktuara në këtë vendim.

Ky vendim do i shtrijë efektet deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

Ky bord u ngrit më 18 mars me fokus “transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore